Antivlera si vlerë e moralit etik

Për një kafe të vogël, të madhe, në gjysmë, pak përmbi gjysmë e pa sheqer, tridhjetëshe a shtatëdhjetëshe, lihen pas dore shumë ngjarje kulturore. Ngjarjet kulturore që ndodhin, si promovimet e librave apo shfaqjet teatrale, rrinë në përpjesëtim të drejtë me tërheqjen zëshëm të kafesë nga filxhani. Pra, të dyja ngjarjet sociale-kulturore ndodhin njëkohësisht dhe paralelisht, madje pa e penguar njëra-tjetrën

Korab Kraja

Përditshmëria na ka mësuar të pajtohemi me të papajtueshmen. Shumë parregullsi bëhen normale dhe kthehen në një normë standarde të jetesës.
Është e vërtetë se disi jeta kulturore është mjaft e zbehtë në Ulqin. Vërehet një vetëkënaqësi e rehatisë kulturore që mbizotërueshëm gëlltit mendjet tona. Dhe, si për çudi, sa më shumë ngjarje kulturore, vetërehatia shfaqet e dyfishuar në mendjen e njeriut. Si kuçedra me shtatë koka, që sa herë i prehet njëra, i dalin dyfish të tjera.
Ndonjë ngjarje e rrallë, me program kulturor e artistik, bie rrufeshëm si ngjarje e jashtëzakonshme. Dhe, është e tillë, sepse del nga zakoni, pra nga tradita e moszhvillimeve. Atëherë kur ato ndodhin, ngjarjet kulturore si me një turfullimë përpijnë edhe vetë kuptimin e tyre.
Pse ndodh kjo?
Në një qytet të vogël, ku njeriu jeton çdo ditë me një të kaluar të bujshme kulturore, domosdoshmërisht që do të ndihet indiferent ndaj faktit të moslëvizjes ngacmuese të intelektit kulturor dhe artistik. Në një vend të tillë, ku çdo gur që shkelet, çdo shkurre që shkulet, çdo pluhur rëre që ngrihet në ajër nga era, nxjerr në pah një thesar të çmueshëm të traditës së lashtë historike dhe kulturore në qytetin tonë. Nën një trysni të tillë, kur nga një pasuri kaq e madhe e qytetit dhe rrethinës, që mund të luante një rol të rëndësishëm në jetën e banorëve të vendit të tij, sigurisht që interesimi për ngjarjet kulturore do të arrijë nivelin e indiferencës. Derisa institucionalisht ngjarjet kulturore nuk marrin vëmendjen e duhur, atëherë edhe personalisht adrenalina e pjesëmarrjes në to nuk është në drejtpeshim. Duhet të ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme në lëmshin kulturor, që të ngacmohen ndjenjat euforike të një njeriu. Dhe, çfarë ndodh më pas, është ajo që quhet si psikologji e turmës.

“Dola në kafene”, “po dal të pi kafe”, “a takohemi në kafe” – janë thjesht disa thirrje çliruese, që dikush e ndien veten të mbyllur në një ngushtësi të papërshkrueshme. Janë në të vërtetë reflekse të mësuara, që dalëngadalë janë kthyer në një përditshmëri të pavetëdijshme


Pra, në një vend ku ngjarjet kulturore mund të ishin mirë të organizuara, sepse potenciali për një gjë të tillë është më se i favorshëm, ato ndodhin rrallë. Ose, ka raste kur ndodhin shpesh, por shpesh ndodhin si punët kur lihen për ditën e fundit. Dhe, ashtu të grumbulluara, këto ngjarje do të shkaktojnë edhe lodhje psikike për pjesëmarrësit. Një renditje e kronolizuar, mbase me një bashkëkoordinim me institucionet përkatëse, organizatat kulturore do të mund të hartonin një program kulturor-artistik vjetor.
Por, është një çështje tjetër pak më shqetësuese. Mospjesëmarrja e publikut. Dhe, mosinteresimi i tij për ngjarje të tilla. Dëgjojmë në rrugë rrallëherë, kur ato janë të frekuentuara: “çfarë po na duhen ngjarje të tilla”, por dëgjojmë edhe në kafene, kur ato janë të stërmbushura “çfarë po më duhet të shkoj atje”. Pra, në të vërtetë, çfarë na duhen gjëra të tilla dhe çfarë duhet të bëhet atje? Mjaft shqetësuese. Sidomos, të dëgjohen kësi lëshim fjalësh nga disa persona që kulturën dhe artin e kanë si zbukurim të çdo fjalie.
Nuk do të duhej të jetë për shqetësim prania e të rinjve në kafene, sepse në fund të fundit, edhe kafeja paraqet një kulturë të shtresëzuar mirë në mbamendjen e njerëzimit. Sidomos, konteksti që përdoret në fushëveprimtarinë tonë përditësore, një gjë e tillë është më se e kuptueshme. Do të mund të quhej si kontekst antropologjik i kafesë, por edhe i kafenesë. Narracioni i pirjes së kafesë në vetvete mbart disa simbolika të fuqishme. Ajo në të kaluarën e afërt ka simbolizuar një bashkim familjar dhe shoqëror, kur miku i mirë ishte edhe fqinj. Një kulturë e tillë, kur shkuarje-ardhjet nëpër familjet tona ishin rutinë ditore, përbënte një simbiozë të afërsisë dhe të shkëmbimit emocional me njëri-tjetrin. Kjo kulturë, e pirjes së kafesë te fqinji apo te familjari, ishte një dukuri përbashkuese që zgjidhte, e herë të fuste nëpër “lluga”, që mbante të afruar jetën sociale. Si duket, afria e tepërme ka bërë që kjo kulturë të ndjehej e stërshfrytëzuar dhe nuk është më në identitetin kulturor-social pirja e kafesë në shtëpi, por në kafene. Një dukuri e tillë, nuk mund të lihet vetëm me kaq.
“Dola në kafene”, “po dal të pi kafe”, “a takohemi në kafe” – janë thjesht disa thirrje çliruese, që dikush e ndien veten të mbyllur në një ngushtësi të papërshkrueshme. Janë në të vërtetë reflekse të mësuara, që dalëngadalë janë kthyer në një përditshmëri të pavetëdijshme. Por, çfarë bëhet në kafene? Si hap i parë, është hapi i parë që bëhet në drejtim të karriges ku do të ulej. Dhe, e kuptueshme, do të ulesh në një vend të këndshëm dhe të rehatshëm, si dhe mundësisht me pamje të mirë. Në këtë rast, në shumë raste madje, nuk ka rëndësi me kë je i ulur, me rëndësi ka pamja. Pra, të rrish ulur me pamje nga pamja ka më shumë rëndësi, sesa të rrish ulur me pamje përball personit me të cilin do të shkëmbesh dy fjalë.

Çfarë bëhet në kafene? Si hap i parë, është hapi i parë që bëhet në drejtim të karriges ku do të ulej. Dhe, e kuptueshme, do të ulesh në një vend të këndshëm dhe të rehatshëm, si dhe mundësisht me pamje të mirë. Në këtë rast, në shumë raste madje, nuk ka rëndësi me kë je i ulur, rëndësi ka pamja. Pra, të rrish ulur me pamje nga pamja ka më shumë rëndësi, sesa të rrish ulur me pamje përballë personit me të cilin do t’i shkëmbesh dy fjalë


Ndodh edhe e kundërta, e papritura e pritur. Në momentin kur ulej përballë personit, është vetë ai që të thotë të ndërrosh vend dhe të ulesh përbri tij, që edhe ti të kesh një pamje të mirë, po si ai. Pra, jo përballë tij, por përbri tij të jesh i ulur. Se pse, kjo nuk dihet shumë qartë, por mendja mund të shkojë në disa arsyetime: e para, që mos t’ia zësh pamjen që ai dëshiron të shohë; e dyta, që mos të të shohë ty aq shumë, por të të ketë përbri dhe ashtu ta dëgjojë zërin më shumë sesa të të shohë në fytyrë; e treta, mbase me të vërtetë kujdeset për ty që edhe ti të kesh një pamje të mirë, ashtu siç e ka ai. Pra, një pamje me fytyrë të sjellë nga rruga në të cilën veturat nuk prajnë njëherë dhe tymi i tyre të ngushton mushkëritë.
Për një kafe të vogël, të madhe, në gjysmë, pak përmbi gjysmë e pa sheqer, tridhjetëshe a shtatëdhjetëshe, lihen pas dore shumë ngjarje kulturore. Ngjarjet kulturore që ndodhin, si promovimet e librave apo shfaqjet teatrale, rrinë në përpjesëtim të drejtë me tërheqjen zëshëm të kafesë nga filxhani. Pra, të dyja ngjarjet sociale-kulturore ndodhin njëkohësisht dhe paralelisht, madje pa e penguar njëra-tjetrën.
Në fund të fundit, çfarë i duhet një arkitekti të shkruajë punë boshe, e le të themi, mos të shkruajë për arkitekturën? Derisa vetë hapësira e krijon arkitekturën dhe në atë hapësirë ndodhin ngjarje të përditshme, është vetë arkitektura që i jep jetë frymëzimit të ngjarjeve të tilla. Ngado që të shkohet, ambienti përreth është arkitekturë. Si ambienti i brendshëm i ndonjë kafeneje, librarie apo teatri, ashtu edhe rrugët, shtëpitë e qytetet, janë të kurdisura nën poetikën e arkitekturës. Një profesor i vitit të parë në arkitekturë, na ka thënë, se në një kafene nuk ka nevojë të lëshohet muzikë në prapavijë. Zhurma e aparatit të kafesë, larja e filxhanëve të kafesë, kërcitja me lugë në filxhanin e kafesë gjatë përzierjes së kafesë, bisedat e njerëzve në kafene e të tjera si këto, përbëjnë Jazz-in e vërtetë në një kafene. Në njëfarë mënyre, profesori kishte të drejtë, sepse ashtu si muzika Jazz, të gjitha veprimet në kafene bëhen ndjeshëm.
Është kjo një çështje që mund të trajtohet nga psikologët, por kohët e fundit edhe nga antropologët, sepse me tema të tilla po hapin shumë çështje sociale dhe shoqërore në shoqërinë tonë të internetit. Në të vërtetë, në shoqërinë tonë të antivlerave. Antivlera, apo kundërvlera, ashtu siç edhe vetë fjala e tregon, është e kundërta e vlerës. A mund të jetë vlera vetëm e mirë? Sigurisht, që ajo mund të jetë edhe e keqe? Pra, diçka me vlera të këqija, të pavlera dhe të mosozotshme, domosdoshmërisht që do të duhej të shfaqej një ekuacion i antivlerave. Se për cilën antivlerë bëhet fjalë, ju ftoj të dalim të pimë nga një kafe.

Të fundit

më të lexuarat