Alarm për arsimin shqip dhe institucionet përgjegjëse

Rezultatet e provimit të maturës në lëndën Gjuhë shqipe dhe letërsi, i realizuar këtë vit nga Qendra e Provimeve, kanë nxjerrë në pah problemet që kanë nxënësit shqiptarë në mësimin e gjuhës amtare. Pavarësisht faktit nëse këto rezultate janë tregues të saktë të gjendjes reale, ato janë brengosëse dhe duhet të jenë shqetësuese për shkollat në gjuhën shqipe dhe institucionet përgjegjëse që merren me arsimin shqip dhe gjuhën shqipe si njëri prej elementeve kryesore në formësimin dhe ruajtjen e identititetit kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi

Gjuha shqipe në Malin e Zi ka probleme të theksuara në përdorimin e saj. Gjendja ekzistuese është pasojë e faktorëve të ndryshëm që kanë të bëjnë me përgatitjen profesionale të mësimdhënësve, politikën arsimore dhe shtetërore, mungesën e kujdesit ndaj gjuhës shqipe, interesit të vetë nxënësve, shkaqe të natyrës personale etj. Problemet fillojnë që me mësimin e saj në shkollë e deri në përdorimin në institucionet shtetërore.
Rezultatet e provimit të maturës në lëndën Gjuhë shqipe dhe letërsi, i realizuar këtë vit nga Qendra e Provimeve, kanë nxjerrë në pah problemet që kanë nxënësit shqiptarë në mësimin e gjuhës amtare. Pavarësisht faktit nëse këto rezultate janë tregues të saktë të gjendjes reale, ato janë brengosëse dhe duhet të jenë shqetësuese për shkollat në gjuhën shqipe dhe institucionet përgjegjëse që merren me arsimin shqip dhe gjuhën shqipe si njëri prej elementeve kryesore në formësimin dhe ruajtjen e identititetit kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi.
Nga Qendra e Provimeve kanë bërë të ditur se provimit të maturës dhe profesional në gjuhën shqipe këtë vit i janë nënshtruar 165 nxënës, prej të cilëve 18 nxënës janë vlerësuar me notën pamjaftueshëm (1), 81 nxënës me notën mjaftueshëm (2), 57 nxënës me notën mirë (3), nëntë nxënës me notën shumë mirë (4), kurse të shkëlqyeshëm (5) nuk ka pasur. Nota mesatare e përgjithshme është 2.35, që është më e ulët në krahasim me atë të vitit të kaluar (2.62).
Rezultatet përfundimtare janë publikuar të hënën (2 qershor 2025), pas shikimit të provimeve dhe ankesave të nxënësve.
“Katër nxënës janë paraqitur për të shikuar provimin, prej të cilëve tre e kanë realizuar këtë të drejtë, ndërsa ankesa kanë bërë vetëm dy nxënës, gjë që na jep të drejtë se këto të dhëna konfirmojnë rezultatet paraprake të provimit”, kanë thënë nga zyra e drejtorit të Qendrës së Provimeve.
Dr. Haxhi Shabani, i cili merret me studimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi thotë se rezultatet e provimit të maturës në lëndën Gjuhë shqipe e letërsi varen nga puna, para së gjithash, e nxënësve, por edhe e mësimdhënësve, sikurse edhe zbatimit të kritereve profesionale gjatë realizimit të tij, sidomos gjatë ditës së bërjes së tij.
Sipas tij, po të bëjmë një restrospektivë të realizimit të provimit të maturës, në vitet e para kur ka filluar të zbatohet provimi, ka pasur seriozitetin e duhur.
“Këtu e kam fjalën për ditën kur është mbajtur provimi, ka pasur kontrollin e duhur, në mënyrë që nxënësi të tregojë dijen që e ka. Më vonë, për vite të tëra nxënësit kanë kopjuar sa kanë dashur vetë. Dhe ky ka qenë një nga skandalet e mëdha jo vetëm të këtij provimi, por duket të krejt provimeve të maturës”, thotë Shabani.
Sa i përket konkretisht rezultatit të provimit të sivjetshëm të maturës në lëndën Gjuhë shqipe dhe letërsi, ai thotë se duket se ka ardhur koha që ky provim të jetë rezultat i dijes së nxënësit dhe se ndonëse rezultati mund të jetë befasues, mund të jetë real.
“Reagimet i kuptoj deri dikund se është krijuar dukuria: dëshirohet nota e jo dija. A do të vijë dita kur vetë nxënësi të thotë se nuk e meritoj notën përkatëse?!”, shtron pyetjen Shabani.
Për të, ky rezultat dëshmon edhe një fakt tjetër – se fëmijët tanë marrin nota të shkëlqyeshme me meritë në anglisht e gjermanisht, por në gjuhën shqipe jo, sepse…
“Kam shumë sepse që duhet vend e kohë për t’i thënë. Por, një gjë mund të thuhet pa ngurruar: qëndrimin ndaj thesarit më të çmueshëm kombëtar, gjuhës shqipe, ne shqiptarët nuk e kemi në nivelin e duhur”, përfundon gjuhëtari Shabani.
Dy nxënëset e shkëlqyeshme në shkollën e mesme të kombinuar “Vëllazërim-Bashkim”, Liriona Mehmeti dhe Sara Iljazi, të cilat kanë kërkuar rishikimin e testit në lëndën Gjuhë shqipe dhe letërsi, mendojnë se ky provim, në mënyrën si është formuluar, nuk arrin të masë realisht kompetencat që duhet të zhvillojë një nxënës gjatë arsimit të mesëm.
“Ai teston më shumë aftësinë për të gjetur versionin ‘e saktë’ në një listë alternativash të dyshimta sesa aftësinë për të kuptuar, analizuar dhe shprehur mendimin në mënyrë të pavarur, që është pikërisht ajo që duhet të kërkojë mësimdhënia në një lëndë si gjuha dhe letërsia”, shprehet Sara Iljazi, e cila në provimin e maturës në gjuhën shqipe është vlerësuar me notën mirë.
Ajo thotë se ky provim dhe mënyra si është trajtuar vlerësimi i tij kërkojnë një rishqyrtim të thellë institucional, me qëllim që të rikthehet drejtësia, transparenca dhe besimi i nxënësve dhe mësimdhënësve në sistemin arsimor.
“Problemi qëndron në qasjen themelore të sistemit ndaj vlerësimit të njohurive dhe aftësive të nxënësve, dhe ka pasoja të drejtpërdrejta për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale”, thekson Iljazi.
Ajo nënvizon disa probleme që lidhen me procesin e vlerësimit dhe mënyrën e formulimit të pyetjeve të testit.
“Së pari, procesi i vlerësimit është bërë në mënyrë mekanike dhe joadekuate, duke u mbështetur thjesht në çelësin e zgjidhjeve, pa marrë parasysh përgjigjet alternative të sakta dhe të argumentuara të nxënësve. Lënda e gjuhës shqipe nuk është matematikë, këtu rëndësi ka përmbajtja, argumentimi dhe mënyra si nxënësi e kupton tekstin dhe e shpreh mendimin. Çelësi duhet të jetë udhëzues, jo gjykim absolut”, pohon Iljazi.
Së dyti, sipas saj, “shumë pyetje në test kanë qenë të formuluara në mënyrë të paqartë, me alternativa konfuze, ku më shumë se njëra mund të konsiderohej si përgjigje e saktë”.
Lidhur me këtë, nga Qendra e Provimeve kanë thënë se testet përpilohen nga ekspertë të fushës.
“Kur flasim për vetë testet e njohurive, ato hartohen nga ekspertë të fushës, dhe testet duhet të pasqyrojnë kurrikulën e lëndës, në këtë rast të gjuhës shqipe dhe letërsisë”, janë përgjigjur nga zyra e drejtorit të Qendrës së Provimeve.
Nxënësja Liriona Mehmeti, e cila në provimin e maturës është vlerësuar me notën shumë mirë, thotë se testimi i maturës paraqet një sfide tjetër për maturantët.
Ajo thotë se në pamje të parë, testi në lëndën Gjuhë shqipe dhe letërsi nuk dukej i vështirë, por për ta përfunduar me sukses kërkohej logjikë, aftësi për të analizuar tekstet letrare dhe joletrare, si dhe njohuri të mira gramatikore të gjuhës shqipe. Krahas kësaj, edhe menaxhimi i mirë i kohës.
“Si mangësi të testit mund të them që ishte paqartësia në shtjellimin e pyetjeve (qëllimi i pyetjes), si dhe disa informata të cilat nuk gjenden në librat shkollorë”, shprehet ajo, duke shtuar se ishin të pakënaqur edhe me mungesën e katalogut të ri të provimit që nga viti 2020/2021.
Në përgjigjen nga Qendra e Provimeve thuhet se katalogu i provimeve, i destinuar për nxënësit dhe mësuesit e tyre, është i disponueshëm në faqen e internetit të këtij institucioni.
“Janë hartuar katalogë individualë provimesh për të gjitha lëndët, të cilët përmbajnë të gjithë informacionin e nevojshëm për provimin e asaj lënde. Katalogët e provimeve të lëndëve përmbajnë objektivat e përgjithshme të provimit, një përshkrim të strukturës së provimit dhe, përmes formularit të programit të provimit me objektivat e provimit, përshkruhet saktësisht përmbajtja që do të shqyrtohet. Jepet gjithashtu një shembull i testit me një skemë të detajuar vlerësimi, si dhe literatura e nevojshme për përgatitje të suksesshme të provimit nga të gjitha periudhat e provimeve gjatë viteve”, kanë deklaruar nga Qendra e Provimeve.
Për dallim nga gjuha shqipe, në provimin e maturës dhe profesional në gjuhën malazeze/serbe/boshnjake/kroate nxënësit kanë arritur rezultate pak më të mira, me notë mesatare 2.83, që përbën një rritje të vogël në krahasim me vitin e kaluar (2.63).

i. k.

Të fundit

më të lexuarat