A do të këndellemi më në fund?

Askush nuk duhet t’i gëzohet një sezoni të dobët turistik kur dihet mirë se vetë shteti i Malit të Zi, sidomos komunat bregdetare jetojnë prej turizmit, por realisht Ulqini kishte nevojë për një dështim që të këndellet, më në fund, se turizmi në këtë qytet, por edhe në Malin e Zi, është duke u zhvilluar në rrugën e gabuar dhe se diçka duhet ndryshuar urgjentisht

Ismet Kallaba

Edhe pse nuk ka përfunduar akoma, që tani mund të konkludohet se ky sezon turistik në Ulqin dhe në Malin e Zi ishte i dështuar në shumë aspekte, por para së gjithash për shkak të numrit më të vogël të turistëve në krahasim me vitet e kaluara e rrjedhimisht edhe zvogëlimin e të ardhurave nga sektori i turizmit. Sepse asgjë nuk mund ta kompensojë korrikun e dobët, kur dihet mirë se korriku dhe gushti janë dy muajt ku është përqendruar sezoni turistik veror. Referuar të dhënave statistikore, ky është viti i tretë që Mali i Zi pëson rënie të numrit të turistëve dhe të ardhurave, gjë që është tregues i një trendi shqetësues.
Edhe disa vende të tjera në rajon, si Shqipëria, kanë përjetuar një sezon të dobët, por kjo nuk duhet të na ngushëllojë. Në fakt, ajo që është paralajmëruar që një kohë të gjatë, tanimë po ndodh në realitet. Dhe kjo është pasojë e gabimeve të bëra në të kaluarën, por edhe e shumë faktorëve aktualë, të cilët kanë pasur ndikim negativ në sezonin e sivjetshëm turistik.
Mungesa e një strategjie për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm ka bërë që ai të zhvillohet në mënyrë stihike, ku asnjeri, bile as ekspertët më të mirë të turizmit, nuk mund të bëjnë një parashikim të saktë përpara sezonit turistik; Rritja enorme e kapaciteteve akomoduese saqë asnjë organ përgjegjës nuk ka evidencë të saktë të numrit të shtretërve (qoftë në Komunën e Ulqinit apo në tërë bregdetin e Malit të Zi); Problemet infrastrukturore kanë bërë që turizmi është shndërruar në barrë dhe pengesë për jetën normale në qytet (Ulqin); Çrregullimi në fushën e çmimeve – çmimet tejet të larta, në mospërputhje me ofertën, duke bërë që të mos jemi konkurrues me tregjet turistike në vendet tjera. Nuk duhet përjashtuar as ndikimin e rastit të afaristit të njohur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por dështimi nuk mund t’i atribuohet vetëm efektit Alabar.
Turizmi është sektori kryesor ekonomik në Mal të Zi dhe përbën rreth 30 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, që do të thotë se duhet të jetë degë prioritare në Mal të Zi. Përkundrejt kësaj, në pozitat kryesore në nivel shtetëror dhe vendor shpeshherë janë njerëz joprofesionistë, të cilët nuk kanë kurrfarë lidhjeje me turizmin. Çfarë mund të presësh nga një ministër (në rastin konkret, ministri për Planifikim Hapësinor, Urbanizëm dhe Pasuri Shtetërore, Sllaven Radunoviq), i cili sugjeron që të rishikohet statusi i Kotorrit në UNESCO, duke hedhur idenë e organizimit të referendumit, ku qytetarët e Bokës së Kotorrit do të vendosnin lidhur me këtë çështje?!
Askush nuk duhet t’i gëzohet një sezoni të dobët turistik kur dihet mirë se vetë shteti i Malit të Zi, sidomos komunat bregdetare jetojnë prej turizmit, por realisht Ulqini kishte nevojë për një dështim që të këndellet, më në fund, se turizmi në këtë qytet, por edhe në Malin e Zi, është duke u zhvilluar në rrugën e gabuar dhe se diçka duhet ndryshuar urgjentisht. Por, a do të ndërmerret dhe ndryshohet vërtet diçka, kjo është zor të thuhet?! Nga përvoja e dimë se sapo mbaron sezoni, i harrojmë problemet që na përsëriten vit pas viti dhe biem në letargjinë e vjeshtës dhe dimrit, deri në pranverë kur “na bie ndër mend” se sezoni veror po afron.

Të fundit

më të lexuarat