Masakra që ndryshoi politikën botërore ndaj Kosovës

Pasditën e 15 Janarit, 1999, Uashingtoni ishte paralizuar nga një furtunë e ftohtë me akull, ndërkohë që këshilltarët më të lartë të politikës së jashtme të Presidentit Bill Klinton po mblidheshin një nga një për një takim mbi gjendjen në Kosovë, në të ashtuquajtën “Situation Room”, dhoma e Shtëpisë së Bardhë ku diskutohen situatat më kritike dhe më të rëndësishme të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara

Për Koha Javore: Frank Shkreli

Kështu e fillonte kronikën gazeta Washington Post më 18 Prill, 1999 mbi takimin urgjent, ndërsa shënonte se në atë takim të nivelit të lartë, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright – kishte bërë thirrje — por pa sukses për momentin — për një fushatë të fortë për të u shtuar presioni nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s ndaj Beogradit, për një ndërhyrje në Kosovë. Por në vend të një vendimi më të fortë siç kërkonte Zonja Albright, në atë takim të nivelit të lartë të këshilltarëve të Presidentit Klinton, u miratua një dokument sekret prej 13-faqesh, i quajtur “Strategjia mbi Kosovën”. Gazeta Washington Post shkruante me atë rast se Sekretarja Amerikane e Shtetit ishte e bindur se asnjë masë tjetër e përkohëshme kundër Serbisë nuk do të ndalonte shpërthimin e një lufte në Kosovë. Por, zyrtarët e lartë të politikës së jashtme amerikane, të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë atë ditë, nuk dinin ende se një ditë përpara, nja 6.000 kilometra përtej oqeanit, në një fshat të Kosovës i quajtur Reçak, forcat terroriste serbe kishin masakruar mbi 45 civilë, një masakër kjo që më në fund do të ndryshonte çdo gjë. Një ri-konstrukturim në atë kohë, nga gazeta Washington Post, i ngjarjeve në Washington dhe në Bruksel, kryeqendra e NATO-s, tregon se masakra serbe e civilëve të pafajshëm shqiptarë në Reçak, pati transformuar krejtësisht politikën e deri atëhershme të Perëndimit, e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj Ballkanit Perëndimor – në një mënyrë që rrallëherë ndodhë që një ngjarje e vetme si kjo të ndryshonte politikat aq shpejt. Masakra në Reçak, shkruante Washington Post, bindi administratën amerikane dhe aleatët e saj në NATO se përpjekjet e deriatëhershme për të parandaluar një konflikt në Kosovë, kishin dështuar. Si përfundim, qëndrimet e Sekretares Albright për një politikë më të vendosur diplomatike dhe ushtarake kundër Serbisë u diskutuan në një mbledhje të thirrur më 19 Janar 1999 nga Këshilltari i Sigurimit Kombëtar, Sandy Berger. Dy ditë më vonë, raportonte Washington Post, Presidenti Klinton i paraqiti, planin e diskutuar në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministrit britanik, Tony Blair dhe kështu në fund të Janarit të vitit, 1999 u mor vendimi për ndërhyrjen e parë të NATO-s në konfliktin me pasoja më të rënda në Evropë, ç’prej Luftës së dytë Botërore.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “847” të revistës Koha Javore

Të fundit

më të lexuarat