Ka disa javë tashmë që flitet seriozisht për shkëmbime territoresh, ndreqje kufijsh, korrigjim ose për diçka krejtësisht tjetër, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, varësisht reagimeve se kush e thotë dhe kur e thotë. Sot e kësaj dite askush nuk e di dhe askush nuk thotë se si dhe pse ky subjekt filloi të diskutohej për herë të parë publikisht, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar
Për Koha Javore: Frank Shkreli
Sot jemi për shkëmbim territoresh, nesër për ndreqje kufijsh, ose diçka tjetër. Kriza e parë e pas luftës në Kosovë, në nivel kombëtar, i gjen udhëheqësit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të papërgatitur, të zbuluar, krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjënden, pa asnjë ide dhe pa asnjë strategji politiko-kombëtare se si duhet shkuar përpara. Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa asnjë marrëveshje ose vizion të përbashkët se si duhet vazhduar. Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht heshtë. E njëjta ndodh edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rëndësi kombëtare. Ekziston pra një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkërendimi në politikën kombëtare përsa u përket interesave afatgjata të kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çeshtjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë.
Teksa dëgjojmë komentet e zyrtarëve të lartë shqiptarë në Prishtinë dhe në Kosovë, është e qartë se në radhët e tyre – në lidhje me këtë çështje – ekziston një hendek i madh, një pështjellim i madh idesh, pa rregull e pa organizim, një gjendje kaotike të cilës nuk mund i gjëndet filli. Kjo gjendje kaotike vihet re nga komunikimet dhe komentet e udhëheqësve të Kosovës drejtuar prej së largu ndaj njëri- tjetrit, mbi shkëmbimin e territoreve ose ndreqjen e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës – në një kohë që ju siguroj se Serbia është e bashkuar për ato që kërkon dhe çfarë pret si përfundim i këtij procesi, siç duket i planifikuar mirë dhe i promovuar prej saj prej kohësh, pikërisht, në këtë moment — për qëllimet strategjike afatgjata të Beogradit dhe padronëve të tij rusë, në Kosovë dhe në Ballkan.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “833” të revistës Koha Javore
