Parë në këndvështrimin poetik, imazhi te ky autor është thelbësor, sa i takon botës personale të poetit, por edhe komunikimit me lexuesin. Shihet qartë se autori e di mirë që imazhi në poezinë moderne, ka marrë një rëndësi aq të madhe, sa duhet të përshkojë veprën e poetit, me gjithë larminë poetike të vargjeve, nga fjala e parë gjer në të fundit
Në poezinë e sotme bashkëkohore, imazhi apo imazhimi është trajtë e përdorimit edhe në gjerësi edhe në lartësi, që shërben për të sjellë një zbukurim dinamik dhe që e bën substratin poetik shumë impulsiv. Pa imazhim një poezi do të ishte e pashprehshme, memece, e verbër, pa aftësinë dëgjimore, dhe e palëvizshme ndjeshmërisht për të depërtuar në ndjenjat njerëzore. Ajo buron nga ndjenjat dhe përcillet te ndjenjat. Ndaj sot çdo krijues e përdor gjerësisht imazhin, e që është produkt i një imagjinate krijuese me kapacitet dhe intelekt.
Nëse duam të flasim për imazhet në poezi, gjithmonë na rëndon pyetja për një zbulim thelbësor: Çfarë është imazhi, apo imazhimi në poezi?
Është kjo një pyetje e cila ka shoqëruar gjatë gjithë kohëve filozofët, estetët, studiuesit, vetë autorët lëvrues, kreativë të poezisë, poetët. Por këtu nuk do të merrem me çështjet teorike dhe nuk dua të bazohem në teoritë ekzistuese për imazhin, qofshin këto përkufizimet e E.Paundit, apo të studiuesve të tjerë si Xh. Kardi, A. G. Bachelard, por megjithatë dua të theksoj se imazhi shihet më shpesh pikërisht në poezi pasi që të jetë shkruar, sepse gjuha e shkruar nuk ka vetëm thjesht vlera përfaqësimi gjuhësor, por ajo njëkohësisht është edhe një laborator mendor imagjinativ për krijimin e imazheve dhe ideve të reja.

