Poezi: Hajredin Kovaçi

Mure rrëzoni

Do ta bëj zemrën gur
Do t’i bie murit me kokë
E do ta rrëzoj përtokë
Atë mur që na ndanë
Botës do t’i çoj fjalë
Ejani shikoni
Bëni dhe Ju si unë
Mure rrëzoni!

Kockë e fortë

Derën mund ta thyeni, derën
mua brenda do më gjeni!

Mundeni edhe të më rrihni
të m’i thyeni duart e këmbët
edhe dhëmbët!

Mund të m’i nxirrni sytë
të më qorroni
edhe kokën të ma shtypni
sa të doni!

Mundeni… se Ju gjithçka mund të bëni!

E unë s’do bërtas, vërras
se s’kam këmbë
as sy s’kam
dhe zëri më është shterrë!

Por, nëse filloni të më hani
do të hasni në kocka të forta
dhe do t’i thyeni dhëmbët
more të mjerë!

Gjurmë që s’i mbulon as bora

Sot po bie borë, qetë, qetë
mjaftueshëm për fëmijë!
Disa luten të bie më shumë
shumë më shumë, me nxitim
t’ua mbulojë gjurmët
që tash sa vite i kanë lënë gabim!
Dhe harrojnë të shkretët
se bora shpejt do të shkrihet
dhe gjurmët e tyre
përsëri do të shihen!

Veç paqje jo
Ti botë
a ke sy me pa
e vesh me dëgju?

Po priten koka fëmijësh
para syve tu
po digjen njerëzit për së gjalli
dhe të gjallë po varrosen
urrejtja ka kaluar në çmenduri
e ti pret kohën?!
Po Ti
që as emnin s’po ta di!?
Ta dhjefsha Çmimin Nobel për Paqe
se në vendin tënd
gjthçka ka, po, po
veç paqje jo!

Lulja në gur

Vështirë është të jetosh në gur
për dashuri ti s’thahesh kurrë
Mbijeto në gur për mua
të të çoj tek ajo që dua
Të të këpus, apo jo?
Zemra më thotë
jeto, jeto!

Lëkura
(Prof. Dr. Simë Gjon Dobrecit)

Askush më mirë se Ti,
S’e di
Se ç’është lëkura
Ç’heq
Ç’duron
Si shërohet
Kur ndërrohet

Askush, askush
Më mirë se Ti
S’e di
Pse dikujt i kruhet shpina
Ku i kruhet
Pse i nxihet
Pse i skuqet fytyra
Pse i bie lëkura
Sado e ngushtë që të jetë
Njeriu më mirë ndihet
Në lëkurën e vet!

Askushi

Çdo ditë matem t’ia them
Dhe përtypem me neveri
Një ditë do të bëhem i pafytyrë
Do t’ia them të gjitha ndër sy
Do t’i them: s’je njeri
Askushi
I paburrë e faqezi
Dhe në fund kam për ta pështy!

Të fundit

më të lexuarat