“Për gjithë shokët asht Ditë Vere,
Dimni tem s’ka të mbaru
Ç’janë k’to lajme, k’to habere?
Ah, erdh koha me kalu…!.” Isuf Myzyri
Për Koha Javore: Pëllumb Gorica / Elbasan
Gjithësaherë që nisem nëpër festa, ndjej emocione të papërshkueshme dhe, kur kthehem, kam mbartur me vete pasuri të pashlyeshme. Kështu ndodh dhe, saherë që marr rrugën drejt Elbasanit, në këtë qytet të lashtë, përfitoj risi e mbresa të reja, se “Dita e Verës” është kthyer në një manifestim të madh gëzimi,si një stafetë e bukur tradicionale që njëri brez ia dorëzon tjetrit. Dita e Verës, si një prej riteve më të lashta pagane është përcjellë, sa në antologjinë gojore popullore, aq edhe në plastikën e lëvizëshmërisë së jetës, si një dëshmi e kulturës sonë të lashtë. Në fashat e saj, ajo përshkohet nga tipari i i gëzimit njerëzor, që pasqyron kalimin e Dimrit, që mbyllte njerëzit brenda mureve të shtëpisë dhe ardhja e Pranverës, si përtëritje e natyrës.
Është rizgjim në punë, gëzim, lëvizje e jetës, shëndet e mirësi në familje, shoqëri, miqësi… Kur shkruaj që “Vetëm në Elbasan duhet të jesh këtë ditë!”, merret vesh që fjala është për datën 14 mars, si “Ditë Vere”, natyrshëm që nuk është festë vetëm për Elbasanin, por, në ngulmoj dhe bëj një thirrje (si majëkrahi, kur thonë në Veri), mendoj se nuk jam fare i njëanshëm, por jam krejt i drejtë. Elbasani,-mendoj unë,- ka jo vetëm “tapitë” e kësaj feste kaq të bukur, me “vulë të thatë prej noteri”, por dhe”hipotekën” e saj. Dhe aq e kanë bërë të tyren Elbasanasit këtë festë, sa, dhe, kur i shkruaj si emër të përgjithshëm, nuk guxoj t’i shkruaj me gërmë të vogël. Vetëm Elbasanasit ditën jo vetëm ta ruajnë këtë festë pagane, por dhe ta festojnë.
Në Elbasan, “KRYEQENDËR” e festës
U nisëm drejt Elbasanit që në mëngjes herët. E ndërsa makina jonë e vogël, brenda së cilës udhëtojmë tre vetë, i kaloi kthesat gjarpëruese të rrjedhës së lumit Erzen, u fut më pas në brendinë e tunelit të ndriçuar nga dritat e shumta. Më tej, shpejtesia e makinës u shoqërua me një jehonë tingujsh kaotikë që binin në veshët tanë për gjatë luginës të rrethuar nga të dy anët prej një formacioni mbrojtjeje natyrore të Krrabës. Mëngjesi ka nderë mbi supe mantelin e dritës dhe premton një ditë të, me një qiell ngjyrë blu, edhe pse gjurma e një mjegulle resh notonte lehtë e shoqëruar nga një fllad i ftohtë. Anës rrugës, vende – vende, lulet e bardha e të ndrojtura, duket sikur dhurojnë edhe ato dritë. Kanë buisur në degët e zhveshura të kurorave të kumbullave, të bajameve, të pjeshkëve e dardhave.
Bari i vesitur nga vesa e mëngjesit të mahniste dhe dukej si një qilim i gjelbërt, shtruar mb sipërfaqen e tokës; ndërsa degët e pishave të gjata e të gjelbërta era i tundtte lehtas. Të lumturon ringjallja e natyrës ripërtëritëse nga letargjia gjumashe dimërore. Kjo ringjallje, erdhi brenda makinës tonë që voziste e shtërnguar mes karvanit lumë të makinave që shpejtonin drejt Elbasanit. Janë të shumtë qytetarë nga gjithë Shqipëria që duan të festojnë në Elbasan. Sa mirë, kur i ndajmë bashkë gëzimet e festave tradicionale! Ka nga ata që udhëtojnë qindra- mijëra kilometra për të ardhur. Sidomos elbasanasit, të larguar në emigracion, kthehen me mall dhe fytyrat u shkëlqejnë, të festojnë këtë ditë kaq të veçantë, siç është “Dita e Verës”.
Cila është ajo forcë e çuditshme që i shtyn të marrin udhën?! Respekti dhe dashuria për festën rituale të parëve dhe malli për tokën që i lindi për të gëzuar me të afërmit e tyre të dashur. Natyrisht, as largësia dhe as vështirësitë që kanë hasur andej ku punojnë e jetojnë, nuk i ka penguar që të vijnë. I mbërthyer në këto ndjesi, i relaksuar nga këngët që dëgjoj, tek i afrohem Elbasanit, hedh sytë mbi fushën e Bradasheshit. Shpirtin sikur ma shpon një gjemb, tek shoh atë “karakoll gjigant” të ashtuquajtur “çlirimi i dytë i Shqipërisë” që u bë, si të thuash, gogoli që hëngri jo vetëm ekonomikisht tërë vendin, por u bë një çerdhe mutacioni vrasës për gjithë klimën e Elbasanit. Pa menduar se zmadhoj, por në vizionin tim, Kombinati Metalurgjik “Çeliku i Partisë”, me metastazat e tij vrasëse, as më pak dhe as më shumë, është i ngjashëm me Çernobilin ukarainas.
Të vret sytë gërdalla skeletike dhe duket si përbindësh kërcënues në udhën drejt qytetit. Një regëtimë dhimbjeje më del nga shpirti, heq sytë për ta bërë dalje një pamje të tillë dhe, mbasi i jap një “shkundje” trupit, bëj sikur e harroj. Qyteti zgjohet me ndjesinë e bukur të festës të shumëpritur. E ndjen këtë gëzim, që nga shtëpitë e vjetra e deri tek pallatet shumëkatshe, por me gjithë madhështi, ngado që hedh sytë, në rrugët, sheshet, parqet, bar- kafetë, që gëlojnë nga njerëzit. Festojnë jo vetëm banorët e qytetit dhe zonave përreth tij, por edhe të vizitorëve nga të gjitha trevat shqiptare. Edhe zogjtë në cicërima përjetojnë entuziazmin e festës, duke fluturuar mbi ndërtesat e larta. Ndjesitë e këtyre çasteve, të përpira nga kënaqësia, të bëjnë të zbresësh nga makina dhe të zhytesh në rrjedhën e njerëzve të gëzuar. Fëmijëve të buzëqeshur u lexohen në fytyrë gëzimi e gjallëria dhe i japin festës një amplitudë më të larmishme. Në mes kësaj atmosfere, të krijuar nga kjo traditë e lashtë, përfshihesh nga emocione të bukura, dhe humbet në lumin e madh të veprimtarive gazmore.
Elbasani jehon nëpërmjet këngëve të vjetra e të reja dhe kthehet në një aeropag të madh koncertesh të këngëtarëve popullorë. Tek dëgjon këngët e bukura popullore elbasanase, ringjallen njëri-pas tjetrit, këngëtarët e vjetër dhe, mbi të gjithë, vjen i gjallë me qemanen e tij, Mbreti, Isuf Myzyri apo Usta Isufi e mandej, pas tij, Marie Dhama e Tahir Gurakuqi, vëllezërit Zena, Albert Tafani e të tjerë më të rinj. Për një çast, je nga je dhe je bërë elbasanas. Je “infektuar” nga “virusi” i festës dhe nga pritja aq bujare e Elbasanasve.
Libri që i duhet festës
Në mes kësaj atmosfere i përfshirë nga emocione të bukura, të mezazhit që përcjell festa në shpirt, si një mysafir i përhershëm, takoj miqtë e mi; Fatmirin, Lidën, Gëzimin, Ilirin, Vehapin dhe Ladin. Kënaqësinë, bukurinë, virtytet dhe madhështinë e shpirtit të tyre e lexon në bisedat e këndshme e plot dashamirësi, që nuk kanë kuptim pa bashkëndjenjën e traditës së lashtë. Fatmiri, me një gjest fisnik e po aq interesant e karakteristik të qytetarisë elbasanase, pasi të shtrin dorën, të uron: ‘‘Paçim një vit të mbarë dhe të qetë“. Vehapi me atë buzëqeshjen e tij të përhershme në fytyrë të dhuron ballokumen e famshme të “Ditës së Verës”.
Pa më thoni:- A e gjeni kund, veç në Elbasan “Ballokumen e Elbasanit”? E falënderoj dhe nisim bisedën tonë për vlerat e krenarinë e kësaj feste tradicionale, që ua kanë lënë trashëgimi të parët. Iliri ndjehet tepër i përmallur. Ai ka ardhur nga Athina, ku jeton prej disa vitesh dhe nuk harron të vijë çdo Ditë Vere në Elbasan.
Por si njeri i librave (pa modesti, unë shkruaj libra), sikur bëhem pak më shumë mbresues, kur në këtë ditë feste shoh diçka të re: Shoqata “Durana” ka organizuar një panair libri. Kjo risi, sipas meje, ua zbukuron ballin organizuesëve. Është pema më e bukur që si stafetë do të japë fruta të ëmbla.
– I duhej ky panair Elbasanit, thotë Aqif Hysa, organizatori i panairit, – me vlera të rralla frymëzuese, kulturore, historike e morale, me kaq shumë personalitete të betonuara në murin e paharrueshëm të qytetit, edhe ‘’Ditës së Verës’’. Më prekës të bën ky panair, kur poetja e bukur, Iliriana Sulkuqi, ka ardhur që nga Amerika e largët vetëm e vetëm për të promovuar librin e saj poetik “Sot pagëzova dashurinë” në këtë ditë.
E ç’mund të kërkosh më shumë për të pasur mbresa, por me mendimet u futa thellë në zanafillën e kësaj feste pagane e cila ka ardhur deri në ditët tona.
