Shteti i Kosovës është një rrëfim i suksesshëm dhe krenar i gjithë kosovarëve. Këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë të gjithë ne që kemi privilegjin, nderin dhe përgjegjësinë për të qenë në shërbim të këtij shteti dhe të qytetarëve të tij
Dita më e rëndësishme në historinë e Kosovës është 17 shkurti i vitit 2008. Në këtë ditë u lind shteti i Kosovës dhe kështu të gjithë ne-qytetarët e lirë të këtij vendi, u bëmë me shtëpinë tonë të përbashkët shtetërore, u bëmë shtetas të Kosovës.
Secili prej nesh e kemi një rrëfim tonin individual dhe familjar se çka bëmë atë ditë shumë të ftohtë të dimrit, si i kaluam ato orët para se të mblidhej Kuvendi i Kosovës, në seancën e paharrueshme të tij, si iu gëzuam çastit kur me Deklaratën e miratuar në Kuvend, ne vendosëm për fatin tonë, një herë e përgjithmonë, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur.
Ishte ai çasti më i lumtur për të gjithë ne si popull, çast i përjetësisë për qytetarët e këtij vendi që, si rrallë ndonjë vend tjetër në këto anë të Evropës, e ka të mbushur historinë me tragjedi, me vuajtje, me heroizma dhe me dashuri për atdheun.
Me pak fjalë, ju, qytetarët e Kosovës, shfaqët mendimin më të sinqertë, më të bukur, më të dashur, atë 17 shkurt, kur thatë një herë: ‘Bac u kry’, duke iu referuar Komandantit legjendar ,Adem Jasharit, dhe pastaj, ‘Edhe unë kam shtet’, që i rrinte mirë trashëgimisë së Presidentit historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “803” të revistës Koha Javore

