Vepra “Ardhësit – Këngët e Ali Binakut” (1937/1958) e autorit malazez Radovan Zogoviq është një vepër atipike në korpusin e letërsive ballkanike, si për kontekstin specifik të shfaqjes së saj, ashtu edhe për strategjitë diskursive, të cilat i vë në funksion, dhe posaçërisht për etikën diskursive dhe relacionin ndaj Tjetrit, i cili në letërsitë ballkanike (por jo vetëm) ka qenë dhe është per definitionem problematik
Procesi i leximit dhe i receptimit të këtij teksti te ne kryesisht është realizuar në kornizat e kritikës kontekstuale (historike e politike) (Çapriqi 2015, Berisha 2016), prandaj edhe uni lirik (ich form), sipas koncepcionit të njohur hegelian, barazohet me zërin e poetit: “Këngët e Ali Binakut janë zëri i poetit Radovan Zogoviq, janë zëri i ndërgjegjes së tij dhe i atyre që nuk pajtoheshin me masakrat që shteti zbatonte ndaj shqiptarëve. “Dhe na rrëzuan, na zhveshën në bar, na shkelën” (Kënga e tretë). Ali Binaku përsiat për të kaluarën dhe të tashmen, ballafaqon fakte e të dhëna; i peshon me mprehtësinë e mendjes dhe me pasurinë e përvojës. Në të vërtetë, Ali Binaku është sa drama e shqiptarëve të Dukagjinit, aq edhe drama e Zogoviqit dhe e të gjithë atyre malazezëve që mendonin si ai; është zëri guximtar i shprehur përmes artit të fjalës kundër politikës shoviniste serbe.” (Berisha 2016, 20). Ndonëse leximet e tilla mund të konsiderohen deri diku legjitime, posaçërisht në kontekstin e paradigmës së pragmatikës së komunikimit, aq më parë kur vetë teksti ofron indicje, kronotope e figura ‘reale’ që e ankorojnë atë në kontekstin e kohës-hapësirës specifike sociale e politike, interpretimit të tij do t’i qasemi nga një perspektivë më e ‘reduktuar’, ‘formale’.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “796” të revistës Koha Javore

