Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara votoi me 128 vota pro, 9 kundër dhe 35 abstenime për një rezolutë që kundërshton njohjen nga ana e Shteteve të Bashkuara, të Jeruzalemit, si kryeqytet të Izraelit. 21-vende nuk ishin të pranishme në votim. Dihet se megjithëse çështja e Jeruzalemit është një çështje delikate midis palestinezëve dhe izraelitëve, Kongresi i Shteteve të Bashkuara kishte miratuar një rezolutë në vitin 1975 me të cilën bëhet thirrje për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, por që administrata të ndryshme amerikane nuk kanë vepruar deri tani. Presidenti Trump kishte premtuar gjatë fushatës se do të bënte një gjë të tillë dhe ashtu, në përputhje me premtimin e tij, njoftoi vendimin për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit
Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork
Shqipëria votoi pro-rezolutës duke u bërë një prej 128-votave në favor dhe kundër qëndrimit amerikan. Shqipëria, nëpërmjet një deklarate të Ministrisë së Jashtme, apo të “Ministrisë për Evropën” siç e quajnë tani, përballë kritikave të shumta se vota e Tiranës ishte një votë kundër SHBA-së, e arsyeton votën e saj në favor të rezolutës kësisoj:
“Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA-as, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-se”.
Unë mendoj se ky ishte një vendim i nxituar dhe i pamenduar mire, për të mos thënë i gabuar. Hajde se nuk donte qeveria e Kryeministrit Rama të votonte kundër kësaj rezolute, ndoshta mund të kuptohet, por kush e ndalonte Shqipërinë që të abstenonte në këtë rast, ashtu siç abstenuan 35 vende anëtare të OKB-së, të cilat Ambasadorja amerikane Nikki Haley i falënderoi për abstenimin e tyre, ose të mos merrte pjesë fare në votim. Në minimum, abstenimi do të ishte vendimi më i përshtatshëm që duhej dhe mund ta bënte Shqipëria. Në deklaratën arsyetuese të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë thuhet se, “në politikën e jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet”. Plot e drejtë! Prandaj, si rrjedhim duhej abstenuar, në minimum, duke marrë parasysh, pikërisht, faktet e marrëdhënieve dypalëshe, midis Uashingtonit dhe Tiranës.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “796” të revistës Koha Javore
