Në këto rrethana ndërgjegjja shqiptare është në udhëkryq, është e rrezikuar, ndaj duhet të kërkojmë rrugëdalje duke kërkuar ndihmë së pari nga vetëvetja secili nga ne, pastaj nga intelektuali dhe populli në përgjithësi, për të kërkuar së pari reflektim, përgjegjësi dhe veprim, me qëllim të arritjes së qëllimit të përbashkët: ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe krijimit të kushteve për zhvillim të mirëfilltë kulturor, arsimor, social-ekonomik e politik…
“Ra ky hall e u pamë”, kishin thënë dikur gratë shqiptare kur takoheshin në ndonjë pikëllim me shoqe, me të cilat nuk ishin takuar shumë kohë. Kështu po ndodh edhe me intelektualët, politikanët e të gjithë shqiptarët, të cilët pasi ndodhen rezultatet e dobëta zgjedhore të partive shqiptare në Malësi, pas këtij “halli” kombëtar, disi në mënyrë të frikshme, aty-këtu po ngriten zërat për t’u “takuar pas këtij halli”.
Teposhtëza apo agonia e partive politike shqiptare nuk filloi me zgjedhjet e fundit lokale në Malësi, por ka kohë që po ecën me vrull, nga disfata në disfatë, e pa ndalim.
Pas rezultateve zgjedhore zhgënjyese të partive politike shqiptare për zgjedhjen e përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e parë në komunën, aq të pritur, të plotë të Tuzit, pas aq shumë mundimeve e premtimeve, shumë intelektualë shqiptarë pothuaj nga të gjitha trojet e Malit të Zi, me të drejtë ngriten zërin e tyre dhe zaptuan jo vetëm shtypin e shkruar, por edhe atë elektronik duke ndjerë keqardhje që Kuvendi i parë i Malësisë (lexo: Komunës së Tuzit) dhe pushteti lokal nuk do të udhëhiqet nga partitë politike shqiptare, por nga ato që këtë të drejtë malësorëve iu privuan plot 27 vite rresht. Por, fatkeqësisht lidershipi shqiptar nuk u bë i gjallë, ose shumë pak, përveç ndonjërit nga ata në mënyrë sporadike e ka pranuar ose kërkuar përgjegjësi për debaklin e radhës. Po vallë, jehona e fjalëve të shprehura të këtyre intelektualëve (vetëm në numrin e fundit të së përjavshmes “Koha javore” tre reagime) dhe jo vetëm të atyre, në lidhje me rezultatet zgjedhore në Tuz, a ka shkuar (se të zërë vend jo se jo) në vesh të atyre që duhet t’i dëgjojnë e së fundi të reflektojnë, ndoshta. Vallë, lidershipi shqiptar (kushdo qoftë ai) ka ndërgjegje apo jo, ka përgjegjësi e obligim ndaj atyre që i votuan apo i ka kapluar vetëknaqësia personale duke u munduar vetëm për një kauzë: të ruajnë strofullin e tyre politik, atë strofull që populli me votat e tyre iu siguroi. Sidoqoftë, kauza shqiptare duhet të jetë mbi të gjitha interesat personale, ajo është në pritje të reflektimit, sepse përndryshe teposhtëza vazhdon e vazhdon.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “794” të revistës Koha Javore

