Anton Gjuravçaj
Tërmeti dridh parajsën e ferrin
epistulat mbërrijnë
nëntë pashë nën dhe
në qiell
shpirtrat japin shpirt
të shkripëzuar
pa erë jete
në udhëkryq…
makijazhi e lakmia për para
në terr…gjysmë terr…
…larg meritës që na nevojitet
sa e bukur do të ishte një “Zoti të dhashtë ”
/kush mund edhe të paramendonte një gjë të tillë /
por jo…
portreti i mjerimit të njeriut të ‘’dijshëm’’
dhe portreti i mjerimit të njeriut që neps lavdin
krijojnë jetë shtesë
pa pagëzim…
Të shpërbërët
përsëri zgjedhin rrugën më të lehtë
madje edhe për t’u imtësuar
duke shkelur veten në zmbrapsje
të pakuptimtë
ashtu me petk mendjemprehti mbi krahë
në sy i tradhton ikja
në ballë injoranca
e në zemër marazi
dija dhe vetëdija
një kokërr rëre në erë
….jetim pa qenë jetim
në ashtin e vet
rob pa qenë rob
në lëkurën e vet
me pallamar të lidhur deri në dhimbje
për luciferin historik
me fjalë të përflakta
e vepra të pakta
pafuqia
merr frymë
si shpirt i keq
Në anën tjetër të akrepave të orës
lypset vetëm të kesh lindur dhe mundësisht vdekur
gjithçka tjetër nxirret prej thesit
sa e bukur do të ishte një “Zoti të dhashtë”
por jo…
madje edhe atyre që më së paku u nevojitet..
kafshatë që përditë (s’)kapërdihet
gjithçka ruan në vete arsyen e krijimit
sendet
institucionet
parmenda ende shërben vetëm për të lëvruar
/sa e vështirë të kuptohet
në kohë “moderne”/
kur shumëçka e shumëkush
lundron si e kundërta e vetes
esnafët pa kryemjeshtrit
si pjergulla shterpë….
në duart e një kandari të çmendur
një duartrokitje nëpërkëmbeshe
për krijesa ankthi
krye brimë
edhe për arinjtë e cirkut
në skenën e madhe
dhe pas saj
atyre që nuk mund t’i bartin pesë
u ngarkojnë pesëdhjetë kilogramë
në emër të “shkollës”
sa e bukur do të ishte një “mos më merrni në qafë”
por jo….
guri për lakra
bëhet gur qoshku
….edhe “nderi” i demokracisë është këtu…
… barazohen gjërat
vetëm e vetëm për hir të zbehjes
peng të kaluarën
në karikaturën e tashme
rënie e lirë në hon
nuk është zbulim
rritja e shpërbërje
si lëngim
Sa e bukur do të ishte një “Zoti të dhashtë”
Sa e bukur do të ishte një “mos më merrni në qafë”
për të gjallë e të vdekur
por jo…
zemrat gjithnjë e më shumë digjen flakë
etja e lë malin në hije
për një “qofsh faqe bardhë”
por jo…
koha len krahët
e përkryer
edhe nderi i “demokracisë” është këtu…
Toronto, tetor 2017.
