Heshtja që flet

Ali Gjeçbritaj

 

 

Aty ku flet heshtja

Kotet, qepallat i janë rënduar, ka mbyllur sytë
dremitë Kraja ime, bukuroshe e fjetur
ëndërron në mes të errësirës e hijes së rëndë nën Rumi
projektuesit e shfarosjes kërcasin gishtërinjtë,
zgërdhijnë dhëmbët,
dosat pjellin derrkucë, numri i derrave të egjër shtohet
bredhin kudra me këlyshë, zagari nuk ndjek gjahun e duhur
ngryset vendlindja ime me tingujt e vetmisë
zgjohet e lodhur, assesi të kthjellet
në Krajë po flet vetëm heshtja.

Dora e qurrave

Njëri përdor dorën për të mbuluar fytyrën
Tjetri për të fshirë djersën
E i treti për të ndalur rrjedhën e qurrave.
Ky i treti duket se ka frikë
Se i mungon të ftohtit në dimër
e vapa në verë.
Vetëm ky i qurrave shfrytëzon
fatkeqësitë e të tjerëve.
E fshehë hundën me dorë
Por flama asnjëherë nuk i ikën nga trupi
Qoftë në dimër, qoftë në verë
Dora e tij fshin vetëm hundë me qurra.

Perdja e tymit

Perdet e tymit na zvogëlojnë shikimin
Loti që ndizet diku u tret e iku
Hijet endacake sillen vërdallë përqark shtëpisë
Mosha shkund hirin.
Nga qoshket e votrës nën oxhak
Në dritare një rrjetë merimange
Mbledh mizat e zjarrit të verbuar.
Nga dera veshur me rroba të frikshme
Hyjnë copa trishtimi.
Me qiriun e Naimit në dorë
Ndriçoj shtigjet e zëna të udhës
Ujqit grabitqarë ikën pa pre
Drita ua errësoi shikimin.
Lahuta e Fishtës dhe Mrizi i Zanave
Trishtimin e mbytën me vargje e hijeshi
Unë kam mall e nostalgji
Si zogu ndaj shpatit e pusi ndaj gurrës.

Flejnë kujtimet në qenien time

Në qenien time flejnë shumë kujtime
Nga mendja s’më hiqen majat me borë
As udhëtarët e vonuar të kohës
Si sot më duken se ma bëjnë me dorë.
Anija në Va të Shitarit në lindje të ditës
Merrte me vete pjesë të jetës sonë
Hudhëm këtu llokume e kokrra sheqerkash
Atë ditë që u nisëm për në Kosovë.
Në veten time mbaj poçin me vajguri
Në Va të Sjerçit e mbusha me dritë
Unë me pendë bojë e bishtagyp
E motra qëndiste deri natën vonë
Pajën stoliste, thurte kurorë.
Në Radio Tirana çdo të hënë mbrëma
Kangë shkodrane, labe, polifoni
Valle përcjellë me fyell e çifteli
Dëgjonim tok krye m’krye.
Në kujtimet e mia, në trurin tim
Është gdhendur trungu sharruar për dysheme
E në majat e kulmit të shtëpisë
Dru gështenje stolisin kullat e lirisë.
Jeta është udhëtim, këtë e di
Më çoj në shtigje ëndrrash
Jo sa isha i ri, por edhe tash në pleqëri
Atëbotë nuk shkrova, më shumë ëndërrova
Sot po shkruaj e ëndrrat mbeten ëndrra
Në qenien time është ngulitur thellë
Ëndrra e kohës dhe shpirti i trazuar.

(Poezi nga përmbledhja në dorëshkrim “Heshtja që flet”)

Të fundit

më të lexuarat