Buzë Barbanës

Asllan Bisha

Pranvera me nxitim thuri fustanin e gjelbër në brigjet e Barbanës. Në pranverë rrjedha e saj u bë e butë, e qetë, sepse kishte marrë mot i mirë, saqë njerëzit s’i dallonin stinët. Ata nuk mund të dallonin pranverën prej verës. Kjo, si duket, i bëri të gjithë të nxitonin: qërleku qukiste me nxitim dheun për të bërë folenë në bregun e gërryer të Barbanës. Dukej se vera po mbaronte, edhe pse ajo s’kishte filluar sipas kalendarit.
Edhe në të dy anët e Barbanës kishte nxitim. Në anën e majtë tringëllonte kumbueshëm kambana, kolektivizimi i tipit sovjetik lëshonte rrënjë, ndërsa fshatarët gjysmë të uritur dëgjonin fjalë të ëmbla për të nesërmen e lumtur e cila kishte shkelur në tokën shqiptare. Dhe ëndrra komuniste me fëmijë të lumtur, edhe pse nuk besohej, ledhatonte shpirtin varfënjak, kurse në anën e djathtë të Barbanës, që s’ka histori që thotë se ishte ndarë ndonjëherë nga motra e saj, po lindte një socializëm tjetër, disi bashibuzuk dhe të dukej se asgjë s’po ndodh dhe s’vlen për të shënuar përveç brengës së mësuesit.
Mësuesi im tash nxitonte më shumë se qërleku. E fejuara i kishte mbetur në bregun e majtë të Barbanës. Ajo i kishte premtuar partisë:

  • Nuk do të tradhtoj dhe nuk do të shkeli kurrë në tokën revizioniste, sepse pushteti do të zgjidhë çështjen time.
    I fejuari i saj ishte mësues, por adhurues i atyre që shkelën rrugën vëllazërore dhe tradhtuan çështjen e përgjithshme komuniste. I kishin mbajtur leksione dhe e kishin përgatitur fshataren e re, e cila mezi i merrte vesh fjalët e të besuarit edhe pse kishte mbaruar klasën e katërt dhe thonin se ishte e dalluar. Vajzën e mësuan dhe e lejuan të flasë me të fejuarin.
  • Thuaj atij se nuk mund ta lëshoj katundin tim që përditë po ndryshon pamjen dhe ne përherë po jetojmë më mirë.
    Ai do të përgjigjet:
  • Eja këndej, se këtu i kemi të gjitha: bukë të bardhë, rroba të bukura dhe makina.
  • Mos u beso se ato janë gënjeshtra…
    Vajza s’po e zgjidhte asesi enigmën: – Pse pushteti paska hall dhe po merret me çështjen time?! E kërcënonte edhe me vëllezër.
  • A thua aq i keq kenka i fejuari im përtej lumit?! – pyeste veten vajza njëzetvjeçare.
    I fejuari i pëlqente disi më shumë, tani në pranverë, pas pritjes së madhe dimërore kur Barbana kishte përmbytur fushat. Por tani që kishte parë të fejuarin, pushteti po ia largonte atë dhe mundohej t’ia fshijë nga zemra.
    Mësuesi na çonte në shëtitje, por e fejuara e tij dukej më rrallë në va me katrovë në dorë, ndërsa kambanat e kooperativës e frikësonin. Një ditë kur ne ishim në shëtitje, ajo mori guxim, doli në va dhe foli me mësuesin.
  • Unë të dua! Do të vija me kënaqësi andej, por s’guxoj se më arrestojnë vëllezërit, përditë më flasin keq për ju. Mos më prit, por unë nuk fejohem, po pres ndoshta po përmirësohet gjendja, po merren vesh qeveritë. Nuk më lanë të dal në va si përpara, më përgjojnë, – foli e fejuara e tij dhe ofshante duke shprehur fatin e keq nga bregu i majtë i Barbanës.
    Atë ditë mësuesi ishte i shqetësuar dhe i lodhur. Fytyra e gjatë e tij dukej e pashpresë dhe shëtitja e kishte dërrmuar shumë. Pas mësimit shkeli në kafene dhe porositi raki. Gllënjkat e nxenë shpejt gurmazin dhe i turbulluan trurin.
    “Pse u prishën shtetet? Mustakoçi ndau kampin socialist. Ah i poshtër, më ke lënë pa grua! I kam të gjitha, por deri kur do të jetosh? O rrënjë e keqe, pse zure vend në tokën tonë? O Zot, çka na duhen të kuqtë? Çka të bëmë që po na dënon kështu? Jemi të vegjël! A thua ne mund të jemi mëkatarë të mëdhenj?”, – bluante mësuesi me veten e tij, por pas gotës së pestë nisi t’i qerasë të gjithë dhe fliste me zë.
    Një mik i tha:
  • Mos fol se hafia shënon.
  • Unë s’njoh askë, kam hall. I poshtër Stalini, na mori në qafë këndej dhe andej. Ai mustakoç i poshtër!
    Në kënd si i strukur, Xixi hapte veshët dhe një ndjenjë ngazëllimi i shkrepi në fytyrë. Një njeri i duhur, si i porositur, po hynte në bllokun e tij. I kishte dalë punë dhe çfarë pune, mësuesi po fliste për politikë. Rast i bukur. Dikur mësuesi nxori revolen dhe tha:
  • Unë do ta marr të fejuarën! E vras kush më del përpara!
    Krisma në kafene e çoi nga gjumi edhe një të dehur tapë. Të gjithë u frikësuan, kurse kamerieri mërmëriste:
    “Do të na dalin telashe. U pi mësuesi! Ah, Xixi, i poshtër, do të na marrësh në qafë të gjithëve! Sot mësuesin, nesër mua. Ah, si s’të ra plumbi ty, o i poshtër! Ti u struke. Tash këqyr orën, dil nga kafeneja. Shënove mjaft, mos do të thuash se e padita unë? Jo, s’na mashtron, ti s’more rrugën e policisë, por atje shkon. Ah, Xixi, t’u shoftë fara!”
    Të nesërmen, mësuesi u thirr në polici. Për fat të mirë, shefi kishte shkuar në Tivar, ndërsa zëvendësi i bëri pyetje.
  • Në ora 18 e 15 minuta, ti qite me “Beretë” në kafene dhe prishe qetësinë e rendin publik, shqetësove të pranishmit që kishin ardhur të pushojnë pak pas punës së lodhshme që bëjnë?
  • Po, është e vërtetë! – foli mësuesi dhe uli kokën disi me keqardhje.
  • Fole keq për pushtetin popullor, bëre politikë, shave, – tha ai. – Është e vërtetë?
  • Jo, s’është e vërtetë! Unë shava vetëm Stalinin, atë që më ndau nga e fejuara.
  • Shave socializmin, komunizmin, zotëri mësues, a kupton? Atë të parin tuaj s’e shave
    asnjëherë. Është i gjakut tënd.
  • Jo, unë s’thashë asgjë të keqe. Kjo është gënjeshtër. Më falni, është ofendim! U shqetësova, e fejuara, – sqaronte mësuesi me sinqeritetin më të madh.
    Ai disi bindej, sepse e njihte mësuesin dhe kur polici pranë tij doli jashtë, i tha:
  • Njeriu i gjakut tënd të paditi. Këtu shkruan se çka ke folur. Sa është e vërtetë, askujt s’i intereson. Je në polici. Faji i dytë. Ti ke qenë në dasmë para një jave dhe ke dëgjuar këngën “A man mend more Ahmet, a man mend se ke qenë mret, për Shqipni duhet me dekë…”
  • Po, isha në dasmë, por këngën s’e këndova, unë bile s’isha aty.
  • Nuk erdhe të lajmërosh. Njeriu juaj e shënoi. Unë duhet të marr masa se Xixi më
    shkarkon edhe mua. E kupton? Asnjë fjalë askujt, se mund të gjendemi bashkë në birucë, Xixi përgjon. Asnjë fjalë, e di ti, je i ndershëm, por Xixi do të na marrë në qafë. Duhet ta bëjmë deklaratën. Do të theksosh depresionin dhe atë çka të tha e fejuara. Ndoshta keni fat, keni sharë Stalinin, ndoshta lehtësuese.
  • Revolen ma dha Partia dhe unë e keqpërdora vetëm një herë. Ndiej përgjegjësi dhe e
    e pranoj gabimin dhe them se s’do ta përsëris më. Jam i gatshëm t’ia dorëzoj Partisë dhe pushtetit, sepse s’njoh tjetër, jam besnik i saj. Jam edukator dhe do të edukoj brezin e ri në frymën e revolucionit e të bashkim-vëllazërimit dhe kurdo që atdheut tonë do t’i kërcënohet rreziku, jam në ballë.
  • Kujdes dhe ruaju Xixit, se ju mësuesit me libra i ngatërroni sistemet, vetëm kur jeni në zor deklaroheni bukur, – foli zëvendësi duke marrë qëndrim zyrtar.
    Pasi u ndanë, mësuesi murmuriste:
    “I mjeri ai që jeton në kufi, sidomos kur ngatërrohen hesapet, kur turbullohen ujërat dhe ftohen marrëdhëniet. Vetëm Xixi gëzohet dhe përpiqet të marrë librin e ri, se ka burri i botës dymbëdhjetë libra nga të parët e Ushtrisë për vigjilencë dhe bashkëpunim në kufi. Do të na marrësh në qafë, o Xixi, dhe s’do të shkoj më kurrë në kafene, jo për raki, por as për një kafe. Ah, Xixi, i poshtër, ti punon për çdo sistem dhe parti. Ti as në gjumë s’na lë të qetë…”

Të fundit

më të lexuarat