
Gjatë dekadave të luftës së ftohtë, qeveritë e Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet zyrtarëve të tyre më të lartë, kanë bërë vazhdimisht thirrje, duke shfaqur gatishmërinë e Uashingtonit zyrtar për miqësi dhe marrëdhënie normale diplomatike me Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Shpesh, zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara kanë dërguar mesazhe popullit shqiptar për “forcimin e miqësisë së vjetër”, gjatë viteve të luftës së ftoftë, nëpërmjet valëve të Zërit të Amerikës. Thirrjet amerikane për miqësi me Shqipërinë binin në vesh të shurdhër të Tiranës zyrtare komuniste të viteve të 70-ta e 80-ta, të shekullit të kaluar. Ishte gjithashtu koha fatzezë kur shqiptarët dënoheshin nga regjimi komunist, thjesht, se dëgjonin Zërin e Amerikës.
Këto deklarata të zyrtarëve më të lartë amerikanë, tregojnë të vërtetën se nuk ishte Uashingtoni zyrtar – “imperializmi amerikan”, ai që kishte izoluar Shqipërinë nga bota, ashtu siç pretendonte shpesh regjimi barbar i Enver Hoxhës, por ishte ai regjim diktatorial sllavo-komunist i cili nuk dëshironte të kishte lidhje as miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte regjimi i Enver Hoxhës ai që donte t’i mbante larg perëndimit Shqipërinë dhe shqiptarët, një popull të zënë rob, si rrjedhim, edhe larg vlerave të lirisë e të demokracisë.
Ky vit shënon 73-vjetorin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe (13 maj, 1951), pasi ishin ndërprerë, përkohësisht. Ishte kjo një përpjekje tjetër e Uashingtonit zyrtar, për të mbajtur sado pak gjallë lidhjet e Amerikës me kombin shqiptar. Me këtë rast ia vlen, për hir së vërtetës, të sjellim nga arkivat e Zërit të Amerikës, një thirrje të tillë për miqësi me Shqipërinë, nga zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara, transmetuar në një program të veçantë të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe me 13 maj 1976, si një shembull i atyre përpjekjeve për të treguar gjithnjë interesim për fatin e shqiptarëve nga zyrtarët amerikanë, megjithëse regjimi komunist enverist hidhte poshtë çdo nismë amerikane për marrëdhënie normale midis dy vendeve tona. Në atë kohë Zëri i Amerikës transmetonte në të dy dialektet. Talat Karagjozi nga Gjirokastra, Frank Shkreli nga Malësia e Madhe dhe Leonora Malo nga Himara morën pjesë në përgatitjen e këtij programi (13 maj 1976), atëherë kur Enver Hoxha dënonte shqiptarët se dëgjonin Zërin e Amerikës.
Leonora Malo: 25 vjet si sot, d.m.th. më 13 maj 1951, Zëri i Amerikës rifilloi transmetimet e tij në gjuhën shqipe, të cilat kishin filluar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kishin marrë fund me mbarimin e asaj lufte. Me këtë rast ju sjellim sot një bisedë mbi qëllimet dhe përmbajtjen e këtyre transmetimeve, siç janë venë në dukje, në hollësi, nga zyrtarët e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara:
Talat Karagjozi: Kur Zëri i Amerikës rifilloi programin e tij në gjuhën shqipe, ministri i jashtëm i Shteteve të Bashkuara që shërbente në atë kohë, i ndjeri Dean Acheson bëri një deklaratë e cila u përfshi në programin ose në transmetimin e datës 13 maj 1951, drejtuar popullit shqiptar. Ndërmjet të tjerave, i ndjeri Acheson ka thënë:
Frank Shkreli: “Me këtë rast ndiej një kënaqësi të posaçme t’i drejtoj popullit shqiptar këtë mesazh në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan. Duke rifilluar programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, qeveria amerikane dhe populli amerikan shprehin edhe një herë interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar. Në këtë mënyrë përtërihen sot lidhjet që na bashkojnë. Miqësia jonë e vjetër duhet të forcohet tash dhe të pajiset me një kuptim më të thellë. Sepse kjo miqësi është një përfundim i natyrshëm i faktit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shumë afër luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Gjatë viteve, qeveria amerikane dhe populli amerikan kanë shikuar me dashamirësi dhe me simpati dhe kanë ndihmuar në këtë luftë duke e ditur se lufta për liri pasqyron aspiratat tuaja të vërteta. Nga fillimi i këtij shekulli, shumë patriotë shqiptarë erdhën në këtë vend dhe gjetën liri të plotë për të punuar për një Shqipëri të pavarur. Në Konferencën e Paqes në 1919, kur presidenti Uilson u interesua personalisht në themelimin e një Shqipërie të pavarur, qeveria amerikane përkrahi përpjekjet e patriotëve shqiptarë.
Por, këto ngjarje i përkasin historisë. Sot e tutje, Zëri i Amerikës do t’ju flasë mbi gjendjen e tanishme dhe të ardhme. Qeveria amerikane dhe populli amerikan u paraqesin përshëndetjet e tyre dhe Zëni i Amerikës ju uron mirëseardhje në radhët e dëgjuesve të saj”.
Talat Karagjozi: Këto janë fjalët që tha i ndjeri Dean Acheson 25-vjetë më parë. Gjatë viteve, pas asaj deklarate, zyrtarë të tjerë amerikanë kanë bërë deklarata të njëllojta. Ndërmjet tyre, ish-ministri i Jashtëm, Zoti William Rogers dhe ish-nën-ministri i jashtëm, Zoti Keneth Rush.
Frank Shkreli: Ish-ministri i Jashtëm Zoti Rogers në raportin e tij mbi politikën e jashtme shqyrtoi përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike me të gjitha kombet, duke përmbledhur kombet komuniste dhe në fund të raportit të tij, ai shtoi këto fjalë: “Mungesa e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Shqipërisë ishte në fundin e vitit 1973, një punë e pambaruar në përpjekjet tona për marrëdhënie normale me të gjithë vendet, pa marrë parasysh ndryshimet. Por drejtimi i masave, si në politikën e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe në politikën e Shqipërisë, premtojnë se do të vendosen marrëdhënie normale në të ardhmen”.
Kjo deklaratë u pasua nga një deklaratë që bëri në të njëjtin muaj, nën-ministri i jashtëm Keneth Rush. Në prill të vitit 1973, në një fjalim mbi politikën e jashtme që mbajti në Akademinë Detare të Shteteve të Bashkuara në qytetin Annapolis, mbasi radhiti masat e marra ose ato që parashikoheshin të merren në lidhje me përmirësimin e marrëdhënieve me pjesën tjetër të Evropës Lindore, Zoti Rush tha: “Vetëm me Shqipërinë nuk është shënuar ndonjë përparim i dukshëm. Përballë zgjerimit të lidhjeve tona me gjithë vendet e tjera të Evropës duket si një gjë anakronike që Shqipëria të dëshirojë të funksionojë në një izolim të tillë. Shqipëria vazhdon të përdorë kundër nesh një gjuhë përbuzëse të një periudhe të mëparshme. Nëse dëshiron t’i rifillojë marrëdhëniet, ne nuk e dimë. Por, edhe kur ta dëshirojë një gjë të tillë, Shqipëria do të na gjejë gati t’i përgjigjemi”.
Talat Karagjozi: Meqë jemi duke bërë fjalë për përvjetorë, dëshirojmë të përmendim këtu fjalët që përdori i ndjeri President Kenedi mbi misionin e Zërit të Amerikës, kur ky ent celebroi 20-vjetorin e tij, më 26 shkurt 1962. Presidenti Xhon Kenedi mbajti një fjalim në të cilin ai tha se Zëri i Amerikës zë një vend me rëndësi dhe luan në rol kyç në shtjellimin e jetës amerikane dhe pastaj deklaroi edhe këto:
Frank Shkreli: “Ajo që jemi duke bërë në këtë vend, çfarë jemi, çfarë dëshirojmë të jemi, përbën dhe pasqyron të vërtetën e një eksperience të madhe me llojin më të vështirë të disiplinës së vetvetes dhe ky është organizimi, mbajtja dhe zhvillimi i përparimit të një qeverie të lirë. Dhe kjo është detyra juaj si drejtues dhe si pjesëmarrës të Zërit të Amerikës që t’ia tregoni këtë gjë të gjithë botës. Ne konkurrojmë me burime të tjera informatash me ata që janë kundërshtarët tonë, e të cilët thonë vetëm të mirat për veten e tyre. Zëri i Amerikës duhet t’i thotë të mirat dhe të këqijat e Amerikës. Dhe ne shpresojmë se e keqja dhe e mira shkoqiten dhe shoshiten së bashku nga njerëz me gjykim të mirë, që kanë mendjehollësi dhe shije, se do të kuptojnë përpjekjet që jemi duke bërë në këtë vend. Ne kërkojmë qarkullimin e lirë të informatave tej-për-tej kufijve kombëtarë dhe oqeaneve, tej-për-tej perdeve të hekurta dhe mureve me gurë. Ne nuk kemi frikë t’i besojmë popullit amerikan duke i paraqitur faktet që nuk janë të pëlqyeshme, (as nga) mendimet dhe filozofitë e huaja që i paraqiten këtij populli dhe as nga vlerat konkurruese që mund t’i paraqiten popullit amerikan. Një komb që ka frikë ta lejojë popullin e vet të gjykojë të vërtetën dhe gënjeshtrën në një treg të hapur, është një komb që ka frikë nga populli i tij”.
Talat Karagjozi: Kjo është pjesa jetike e sistemit amerikan, përfundoi i ndjeri President Kenedi fjalimin e tij, të cilin e mbajti në 20-vjetorin e transmetimeve të Zërit të Amerikës. Ai shtoi se Zëri i Amerikës do të vazhdojë ta përmbushë këtë detyrë, siç bëri ditën e parë të transmetimeve kur ia kushtoi veten e saj së vërtetës.
Leonora Malo: Dhe ndërkohë që programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe celebrojnë përvjetorin e tyre të 25-të, ne shpresojmë të vazhdojmë të aderojmë pa asnjë devijim në këtë kushtim ndaj së vërtetës, siç jemi përpjekur të aderojmë karshi saj gjatë 25 vjetëve të kaluara.
*Radio program i transmetuar nëpërmjet valëve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, 13 maj 1976