Podgoricë – Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe kompania Albasoft nga Prishtina kanë nënshkruar të hënën e kaluar (10 korrik 2023) marrëveshjen për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi, përmes softuerit Kulla e shqipes.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministri Fatmir Gjeka dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë Albasoft, Lulëzim Shishani.
Bartëse e këtij projekti është Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në bashkëpunim me kompaninë Albasoft, që është përgjegjëse për zbatimin e projektit. Marrëveshja parashikon fillimin e zbatimit të saj brenda dhjetë ditësh.
Kulla e shqipes është një program softuerik shumë i avancuar, i zhvilluar nga kompania Albasoft, që mundëson përvetësimin e gjuhës shqipe.
Pjesë e projektit të digjitalizimit të gjuhës shqipe janë: Fjalori i madh drejtshkrimor i gjuhës shqipe në formatin digjital, me mbi 300 mijë faqe A4, me mbi 8.000.000 forma morfologjike;
Fjalori i madh shpjegues i gjuhës shqipe me mbi 80.000 fjalë dhe shprehje; Fjalori sinonimik dhe antonimik; Softueri për korrigjimin e gabimeve drejtshkrimore në MS Word; Softueri për korrigjimin e gabimeve sintaksore; Softueri për mësimin e gjuhës shqipe etj.
Marrëveshja e nënshkruar për digjitalizimin e gjuhës shqipe është në përputhje me Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe të Minoriteteve dhe me qëllim të promovimit të respektimit të parimeve të multikulturalizmit dhe multietnicitetit, si një nga qëllimet e Strategjisë së Politikës së Pakicave 2019-2023, përmes vendosjes së parakushteve normative dhe burimoro-teknike për studimin e gjuhëve të pakicave.
Në muajin prill, Qeveria e Malit të Zi, me propozim të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave ka dhënë pëlqimin që të ndahen 390 mijë euro nga rezerva buxhetore për nevojat e digjitalizimit të gjuhës shqipe në Malin e Zi.
(Kohapress)