Në organizim të Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve (Kosovë – Mal i Zi – Shqipëri), në Plavë u mbajt manifestimi “Muzat e Alpeve”.
Moderator i programit ishte shkrimtari i mirënjohur boshnjak, Safet Adroviq – Vrbiçki, nga Rozhaja, i cili në fjalën e rastit i përshëndeti të pranishmit.
Kryetarja e Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta”, zonja Ajete Beqiraj, i njoftoi adhuruesit e fjalës së shkruar me aktivitetin e deritanishëm të shoqatës.
“Plava është komuna e 20-të me radhë e cila e mbështetë manifestimin tonë, dhe ne po mundohemi që pjesërisht t’ju informojmë se “Teuta” për 9-të vite nga themelimi i saj ka përshkuar komuna dhe bashki të tri shteteve: Kosovë, Mali i Zi dhe Shqipëri, ku deri më tani ua kemi ndarë çmimin për vepër jetësore “Teuta” 9 laureatëve, duke filluar me shkrimtarin e mirënjohur malazez Jevrem Bërkoviq, për të vazhduar me Dritëro Agollin, Ramiz Kelmendin, Mirash Martinoviqin, Moikom Zeqon, pastaj me Nazmi Rrahmanin, Zuvdija Hoxhiq – Berishën, me Xhevahir Spahiun (laureat i vitit të kaluar) dhe sivjet domosdo laureat i çmimit për vepër jetësore “Teuta” do të jetë akademik Rexhep Qosja”, shtoi zonja Beqiraj. Ajo shprehu falënderimin për mbështetje dhe për mikpritje të sinqertë dhe bujare. Në fund falënderoi kryetarin e Komunës së Deçanit zotëri Bashkim Ramosajn, që me mbështetjen e tij, vepra e akademik Rexhep Qosjes “Nata është dita jonë”, prezantohet në gjuhën malazeze .
Përndryshe, në historikun e shkurtër me shkrim, thuhet se Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”, është themeluar me 8 shkurt të vitit 2013, prej shkrimtarëve të njohur nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, për të identifikuar, vlerësuar dhe shkëmbyer vlerat e vërteta letrare të autorëve brenda dhe jashtë këtyre tri shteteve, si dhe të promovimit të kulturës demokratike dhe të bashkëpunimit rajonal, me qëllim të integrimeve evropiane në lëmin e letërsisë. Në atë frymë është konceptuar projekti i manifestimit rajonal letrar “Muzat e Alpeve”, në kuadër të së cilit u ndahet çmimi për vepër jetësore “Teuta” shkrimtarëve më të shquar (më autoritativ) të letërsisë sonë dhe asaj malazeze.
Karvani “Muzat e Alpeve” i cili çdo vit tubon numër të vogël, por të rëndësishëm të shkrimtarëve nga rajoni dhe diaspora, gëzon mbështetje gjithnjë më të madhe të tri shteteve. Ndonëse ajo mbështetje është e pamjaftueshme për spektër të gjerë të aktiviteteve, duke iu falënderuar kontributit intelektual të anëtarëve të “Teutës” dhe të miqve – shkrimtarëve, manifestimi është zmadhuar, dhe për tetë vite të veprimit, ia ka dalë që me aktivitetet e veta të zgjerohet në 16 komuna të Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Por, pa mëdyshje, kurora e manifestimit vjetor është çmimi për vepër jetësore “Teuta”, i cili u ndahet shkrimtarëve më eminent të tri shteteve, të cilët kanë i lënë vulë thesarit të çmuar letrar dhe kulturor të të tri letërsive, duke na lënë të denjë pranë literaturës së popujve tjerë në botë, ku padyshim, në mes tyre janë edhe laureatë të denjë të “Teutës”.
Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”, në muajin prill të vitit 2014, në kuadër të programit “Kosovo talks to EU” për komunikim më të mirë në mes të Kosovës dhe pesë shteteve të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e ka realizuar simpoziumin katërditor në Rumani, “Shkrimtarët lobojnë për Kosovën”, në njërën prej pesë shteteve të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur.
Shoqata në fjalë, në periudhën 2018-2020, ka botuar katër publikime dygjuhësore: Antologjinë “Muzat e Alpeve” – Teuta I, me krijimtaritë e zgjedhura të pesë laureatëve të çmimit për vepër jetësore “Teuta”: Jevrem Bërkoviqit, Dritëro Agollit, Ramiz Kelmendit, Mirash Martinoviqit dhe Moikom Zeqos; Poemën dramaturgjike “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” të autorit Xhevat Limani; Përmbledhjen me poezi “Borxhet e mia” nga opusi i begatë i poetit Xhevat Spahiu, kurse këtë vit nga gjuha shqipe në gjuhën malazeze të përkthyer dhe botuar romanin “Nata është dita jonë” (Noć je naš dan), të shkrimtarit eminent, akademikut Rexhep Qosja, laureatit të sivjetmë të çmimit për vepër jetësore “Teuta”, e cila është vepra e parë krijuese e përkthyer në gjuhën malazeze, përurimi i së cilës u bë në këtë manifestim letrar.
Tema qendrore i manifestimit letrar “Muzat e Alpeve 2021”, i mbajtur në Plavë, ishte përurimi i romanit “Nata është dita jonë” (Noć je naš dan), i akademik Rexhep Qosjes, i përkthyer në gjuhën malazeze nga përkthyesi, shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur, Nikollë Berishaj, i botuar nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”, redaktor i të cilit është akademiku Zuvdija Hoxhiq – Berisha.
Për romanin në fjalë folën përkthyesi i tij, Nikollë Berishaj, i cili në mënyrë koncize, analitike dhe kronologjike, elaboroi mbi punën e tij përkushtuese në përkthimin e kësaj vepre voluminoze dhe vërtetë me vlerë të madhe kulturore-letrare.
Kryetarja e SHPSH “Teuta”, zonja Ajete Sh. Beqiraj, në elaborimin e vet theksoi: “Akademiku Rexhep Qosja, edhe pse është lindur dhe rritur në Vuthaj, në afërsi të krojeve të Ali Pashës, edhe pse është rritur dhe zhvilluar në Guci, edhe pse në vendlindje kalon pushimet e verës, edhe pse në Mal të Zi emri i tij është i vlerësuar dhe me të drejtë mbahet si më i madhi i letërsisë e kulturës shqiptare, një kohë edhe kandidat për çmimin “Nobel”, me marrjen e çmimit rajonal për vepër jetësore “Teuta” (Kosovë, Mal i Zi, Shqipëri), pas 60 viteve krijimtarie të frytshme letrare, si dhe të botimeve të përkthyera në frëngjisht, greqisht, rusisht, maqedonisht, gjuhë rome, sllovenisht dhe serbisht, ka arritur që libri i tij të përkthehet edhe në gjuhën malazeze. Fjala është për romanin “Nata është dita jonë” (përkthyer nga Nikollë Berishaj), në të cilin Qosja më shumë dhe më konsekuent se në veprat e mëhershëm, në mënyrën tipike postmoderne, fut heroin kryesor ‘Atipik’ Budin Buda, violinist, intelektual, shkrimtar, i cili pas jetesës dhe qëndrimit shumëvjeçar në metropolet e botës, mbërrin në vendlindje, i ndërgjegjshëm se qyteti nga është larguar, nuk është edhe qyteti në të cilin është kthyer”.
Redaktori i librit, akademiku Zuvdija Hoxhiq – Berisha, në elaborimin e vet kushtuar romanit në fjalë, konfirmoi: “Lexuesit malazezë më në fund, në mënyrën e duhur do të njihen me veprën e shkrimtarit shqiptar, por edhe të tyre të akademikut Rexhep Qosja. Padrejtësia se, pse me veprën e tij nuk jemi njohur kur ka qenë koha, është korrigjuar. Jemi të bindur se vepra “Nata është dita jonë”, si dhe librat e tjerë të Qosjes, do t’i gëzojnë lexuesit e tjerë malazezë – krenarë, se shkrimtari është “gjeth i malit tonë”, një emër i madh i letërsisë, themelues i poetikës postmoderne në letërsinë shqipe, i cili me veprimtarinë krijuese, zgjeron kufijtë e romanit; një shkrimtar, vepra e të cilit me kohë është në letërsinë botërore, pra universale. Këtë mund ta arrijnë vetëm shkrimtarët e mëdhenj, si, i shqiptarëve dhe i yni, akademiku Rexhep Qosja”.
Profesori në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Begzad Baliu, në mënyrë analitike dhe dinjitoze arsyetoi ndarjen e mirënjohjes akademikut Rexhep Qosja, laureat i 9-të i çmimit për vepër jetësore “Teuta” duke u shprehur: “Akademik Rexhep Qosja (1936), fitues i shumë çmimeve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe kandidat edhe për çmimin “Nobel”, është njëri prej mendjeve më të ndritura të kulturës shqiptare, i cili gjithë jetën e tij intelektuale e krijuese e ka bërë në Kosovë, pavarësisht presioneve psiqike dhe fizike që i bëheshin, duke përfshirë këtu edhe vendosjen e autobombës para shtëpisë së tij, në prag të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë.
Profesori universitar, akademiku, historiani i letërsisë, esteti, kritiku letrar, publicisti, prozatori e dramaturgu, Rexhep Qosja, më shumë se gjysmë shekulli shquhet për angazhimin e tij krijues në rrethet intelektuale të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë, i cili ka trashëguar shkollën evropiane.
Për të gjitha këto veçori intelektuale, letrare, krijuese, etike, gjuhësore dhe qytetëruese, të cilat njëkohësisht janë përbërës edhe të veprës së tij letrare, Kuvendi i Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta”, në mbledhjen e datës 24 korrik 2021, mori vendimin që shkrimtari akademik Rexhep Qosja, të jetë laureat i 9-të i çmimit për vepër jetësore “Teuta” (për vitin 2021), i cili u ndahet shkrimtarëve më eminent të letërsisë shqipe dhe asaj malazeze.
Aktori Xhevat Limani, në mënyrë emocionale e përformoi prologun artistik nga Teatri Shqiptar në Amerikë.
Shaban Hasangjekaj