Ne dallojmë, Z. President

Pavarësisht që unë përfaqësoj opozitën politike, pa marrë parasysh vështirësitë në të cilat për momentin ndodhet dialogu, fuqishëm besoj në faktin që Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme për zgjidhjen e jo vetëm të këtij problemi, por edhe për eliminimin e armiqësisë shekullore ndërmjet dy popujve

Shaip Kamberi

Si pjesëtar i popullatës shqiptare, unë perspektivën e popullit tim e shoh në anëtarësim në BE, por njëkohësisht edhe në bashkëpunimin e ndërsjellë e në harmoni me të gjithë popujt e Ballkanit perëndimor, pa përjashtuar popullin serb.
Si pjesëtar i pakës nacionale shqiptare që jeton në Serbi, besoj që normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë edhe në përmirësimin e pozitës së bashkëkombësve të mi që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, por edhe të pozitës së të gjithë shqiptarëve që jetojnë brenda Republikës së Serbisë.
Formula e bashkëjetesës për popujt e Ballkanit është toleranca, durimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellë.
Çfarëdo opsion tjetër, na çon drejt konflikteve të përgjakshme.
Para dhjetë viteve kur ka filluar raundi i parë i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, entuziazmi fillestar i viteve të para të procesit që ka sjellë arritjen e disa marrëveshjeve, mes të cilave edhe Marrëveshjen për normalizim nga 2013-ta, është zëvendësuar me një krizë afatgjate.
Nga bllokimi i Serbisë që Kosova të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare, nëpërmjet temës për shkëmbimin e territoreve e deri tek nënshkrimi i marrëveshjes në Uashington dhe emërimi i Miroslav Lajcakut si përfaqësues special i BE-së, dhjetëvjetori i fillimit të dialogut po pritet pa ndonjë sukses thelbësor.
Edhe pas gjithë kësaj konsideroj që dialogu i Brukselit, edhe pse Brukseli zyrtar sot nuk përfaqëson fuqi të madhe për t’u shty gjërat përpara, edhe më tej mbetet mekanizmi kryesor i procesit të normalizimit.
Mekanizmat e tjerë të cilët në vete mbërthejnë disa aktivitete bilaterale joformale, mund të jenë të mirëseardhura por assesi nuk janë alternativë e dialogut të Brukselit.
Integrimi në BE mbetet edhe më tutje objektivi i përbashkët i Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Marrëveshja gjithëpërfshirëse mbi normalizimin paraqet kusht për anëtarësim në BE.
I dërguari special i BE për dialog, Miroslav Lajcak, ka thënë që “dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është i lidhur ngusht me të ardhmen e tyre”.
Pra, pa përparim në këtë proces asnjëra palë nuk mund të shpresojë për anëtarësim në BE, ndërsa është pak e besueshme që BE-ja ta fusë brenda vetes edhe një “konflikt të ngrirë”.
Por, përgjatë procesit të dialogut edhe Bashkimi evropian do të duhet të ofrojë perspektiva edhe më kredibile e të dukshme për anëtarësim të Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet përkrahjes më të madhe politike dhe financiare.
Me qëllim të krijimit të atmosferës së përshtatshme për dialog , të dyja palët do të duhej të respektojnë qëndrimin zyrtar të BE “palët do të duhej të përmbahen nga deklaratat të cilat janë kontraproduktive për normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe të punojnë për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.
Gjuha e urrejtjes dhe reciklimi i terminologjisë së viteve 80-ta dhe 90-ta nuk kanë vend në këtë dialog të pajtimit, i cili në të njëjtën kohë do të duhej të ishte edhe përballje me të kaluarën. Nevojitet qasje tjetër.
Unë e kuptoj nevojën e Serbisë që në këtë dialog të angazhohet për interesat e saj, por gjithsesi mendoj që pikërisht tani është koha që opinioni në Serbi të njoftohet se, sot, Serbia në Kosovë dhe rreth Kosovës duhet patjetër të bisedojë me njerëzit të cilëve ua ka vrarë fëmijët, e një pjese edhe tërë familjen.
Ju, zoti President, ndoshta në ndonjërën prej raundeve të radhës të dialogut, përballë jush në tryezën e bisedimeve do ta keni Saranda Bogujevcin, familjen e së cilës e kanë vrarë “Shkorpionat” serbë.
Njerëzorja në ju nuk do të ju lejojë të shikoni në sy qetazi.
Besoj se sot, populli serb duhet patjetër, siç ka thënë njëherë Bogdan Bogdanoviq “me sy të huaj ta shohë vetveten” dhe ta kuptojë përfundimisht që “arritja e miqve është më e rëndësishme se sa pushtimi i territoreve”.
Duhet të kuptohet patjetër që pavarësia e Kosovës është pasojë logjike e shkatërrimit të SFRJ si respektim i të drejtës për vetëvendosje të një populli i cili është ballafaquar me aparteid gjatë viteve të 90ta dhe ndaj të cilit përgjatë vitit 1998 dhe 1999, në emër të shtetit dhe popullit serb, janë kryer krime të rënda lufte.
Serbia sot duhet patjetër të ballafaqohet me faktet.
Opinioni publik në Serbi duhet të jetë hollësisht i informuar mbi të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve të nëntëdhjeta.
Ju e patët filluar mirë kur patët paralajmëruar që do ta njoftoni opinionin publik me rastin “Panda”, por pastaj ndaluat, nuk e di pse, edhe pse sot do ta kishit më të lehtë nëse do t’i kishit shkuar zbardhjes së atij rasti deri në fund.
Me këtë rast më duhet të përmend disa detaje mbi të gjitha ndodhitë që kanë ndodhur në Kosovë.
Me masakrat në Kosovë identifikohen të gjitha vrasjet e tmerrshme të cilat i kanë kryer forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe ndaj popullatës shqiptare të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999.
Vrasjet janë kryer paralelisht me dëbimet dhe deportimet e popullsisë civile.
Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për Ish Jugosllavi me anë të aktvendimet ka konstatuar se forcat serbe dhe ato jugosllave, gjatë vitit 1999 kanë kryer dhe realizuar një fushatë të gjerë terrori, përfshirë edhe vrasjet masive.
Gjykata ka konstatuar se krimet ndaj shqiptarëve janë kryer në mënyrë të organizuar, duke përdorur resurset shtetërore dhe që forcat policore dhe ushtarake kanë kryer “sulme të masive dhe sistematike ndaj shqiptarëve të Kosovës”,
Është vërtetuar që forcat serbe, në fundin e Marsit të vitit 1999, kanë kryer vrasje masive të qindra shqiptarëve, përfshirë edhe gra e fëmijë, në Gjakovë, Krushë e Vogël, Suharekë e shumë vise të tjera.
Në bazë të vendimit përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish Jugosllavi, ushtria dhe policia serbe në shumicën e komunave në Kosovë, pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, në mënyrë sistematike kanë sulmuar vendbanimet e banuara me shqiptarë, kanë maltretuar, plaçkitur dhe vrarë civilë, duke i urdhëruar të shkojnë në Shqipëri ose Mal të zi, duke iu vënë flakën shtëpive të tyre dhe duke shkatërruar pasurinë e tyre.
Forcat e ushtrisë dhe policisë serbe kanë kryer krime të shumta të luftës përgjatë “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
Krimet janë fshehur duke i transportuar civilët e vrarë në brendi të Serbisë.
Në brendi të Serbisë ndodhen varreza të shumta masive dhe Batajnica, Petrovo Sello, Peruqac dhe Kizhevaki në Rashkë janë vetëm disa prej tyre.
Unë do t’i përmendi vetëm disa nga krimet që i ka kryer policia e Serbisë, Ushtria jugosllave dhe formacionet paramilitare gjatë luftës së Kosovës:
• 28. shkurt 1998, Masakra e Likoshanit — Policia e Serbisë ka vrarë disa anëtarë të familjes Ahmeti.
• 28. shkurt dhe 1. mars 1998, Masakra e Qirezit — Policia e Serbisë ka vrarë disa anëtarë të familjes Sejdiu.
• 26. shtatori, 1998, Masakra në Obrinë e epërme – njësitë special të policisë kanë vrarë më shumë se 20 anëtarë të familjes Deliaj, shumica prej tyre gra, fëmijë dhe të moshuar.
• 15. janar, 1999, Masakra e Reçakut — forcat special të policisë (SAJ dhe JSO) përgjatë okupimit të këtij fshati kanë vrarë 45 qytetarë civilë.
• 25. mars, 1999, Masakra e Krushës së Madhe — njësitë special të policisë kanë vrarë mbi 90 banorë- burra të cilët i kishin mbyllur në një hambar, trupat e të cilëve më vonë janë djegur.
• 26. mars 1999, Masakra e Suharekës — policia ka mbyllur të gjithë anëtarët e familjes Berisha brenda një picerie dhe i ka vrarë me bomba dhe pushkë automatike. Janë vrarë 48 civil, në mesin e të cilëve shumë fëmijë. Trupat janë transportuar më pas në Batajnicë dhe janë varrosur në varrezën masive.
• 28. mars, 1999, Masakra e Podujevës — pjesëtarët e njësisë “Shkorpionët” dhe të njësisë special antiterrorist kanë vrarë 19 persona, kryesisht gra dhe fëmijë.
• 27. prill, 1999, Masakra e Mejës – në mënyrë masovike janë pushkatuar 300 civilë shqiptarë si kundërpërgjigje e vrasjes së 5 policëve serbë.
• 22. maj, 1999, Masakra në burgun e Dubravës – forcat e burgut dhe njësia speciale e MPB kanë vrarë 70 shqiptarë të burgosur, pas bombardimit të burgut nga ana e NATO-s.
Këto krime të luftës janë urdhëruar, organizuar dhe realizuar nga strukturat shtetërore, nga zyrtarë të Republikës së Serbisë.

(Vazhdon nga numri i kaluar)
Prandaj edhe Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish Jugosllavi, më 27 maj të vitit 1999, ka bërë publike aktpadinë kundër Sllobodan Millosheviqit dhe katër funksionarëve të lartë shtetërorë të Serbisë për vrasje, përndjekje dhe dëbime në Kosovë.
Pas luftës, shumë politikanë serb dhe udhëheqës ushtarak janë dënuar për vrasje, deportim dhe dëbim të popullatës civile nga Kosova.
Unë do t’i përmend vetëm disa prej tyre:
• Sllobodan Millosheviq, President i Jugosllavisë, komandant supreme i ushtrisë jugosllave – ka vdekur në paraburgim në vitin 2006 – para se ti shqiptohej dënimi.
• Dragoljub Ojdaniq, komandant i Shtabit të përgjithshëm – i dënuar me 15 vite burgim.
• Nebojsha Pavkoviq – komandant i Armatës së tretë, e cila ka qenë përgjegjëse për Kosovë – i dënuar me 22 vite burg.
• Vlladimir Lazareviq, komandant i korpusit të Prishtinës në kuadër të armatës së tretë e cila ka vepruar në Kosovë – i dënuar me 15 vite burgim.
• Vllajko Stojilkoviq, ministër i Punëve të Brendshme dhe komandant i policisë serbe – ka kryer vetëvrasje në vitin 2002, pasi është aprovuar Ligji mbi bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës.
• Sreten Lukiq, kryeshef i shtabit të MPB së Serbisë në Kosovë – i dënuar me 22 vite burgim.
• Nikola Shainoviq, nënkryetar i Qeverisë së Jugosllavisë, i dënuar me 22 vite burgim.
Nikolla Shainoviq, Nebojsha Pavkoviq dhe Sreten Llukiq janë dënuar si pjesëmarrës të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, ndërsa të tjerët janë dënuar për ndihmën që i kanë ofruar dhe që kanë mbështetur krimin.
Shumë policë të cilët kanë marrë pjesë në aksionet kundër shqiptarëve në Kosovë, në Serbi edhe mëtutje konsiderohen si heronj të luftës.
Duhet të jemi të vetëdijshëm që nuk mund të presim rrjedhojë pozitive të dialogut të bazuar në qëndrime të cilat janë produkt të miteve të mesjetës, duke e anashkaluar në tërësi realitetin aktual.
Përveç kësaj, duhet që në mënyrë të qartë të ndërtohet dallimi në mes “ ambicieve reale dhe iluzioneve”.
Në përputhje me këtë, Serbia do të duhej të definojë rolin e saj dhe të tregojë balancim real në mes të ambicieve të saj dhe mundësive reale.
Mesazhet që dërgohen në këtë moment janë të rëndësishme dhe ato duhet të jenë paqësore.
Kërkesës së Kryeministrit Kurti për të nënshkruar marrëveshjen e paqes, ju ju keni përgjigjur me fillimin e ushtrimit ushtarak me mbi 10 mijë ushtar pikërisht në ditën e fillimit të dialogut në Bruksel.
Kur bëhet fjalë për pjesën e deritanishme të dialogut, e në veçanti të pjesës së Dialogut teknik, (2011 – 2012), është konstatim i Raportit të Progresit rreth Serbisë për vitin 2020 se një pjesë e marrëveshjes aplikohet, pjesa tjetër pjesërisht, e një pjesë aspak.
Gjithsesi palët duhet të mbesin të përkushtuara për vazhdim të dialogut.
Çështja e marrëveshjes mbi kadastrin dhe njohja i diplomave të universitetit nuk janë zgjidhur, sikurse duhet të zgjidhet edhe çështja e targave të regjistrimit në kuadër të marrëveshjes për lëvizje të lirë.
Serbia duhet të ndalojë me dhënien e dokumentacioneve ose me vendosjen e pullave në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar. Kur bëhet fjalë për IBM-in Serbia nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në nisjen e vendosjes së këtyre vendkalimeve kufitare në anën e Serbisë (në Jarinjë, Muqibabë dhe Konçul), që ka rezultuar me suspendimin e fondeve të BE-së në Korrik të vitit 2018.
Duhet të përmendet po ashtu se satanizimi i përditshëm që bëhet nga kjo pjesë, duke thënë e folur kualifikime të ndryshme e nënçmuese në llogari të shqiptarëve të Kosovës, nuk i bëjnë mirë dialogut.
A është pavarësie legale ose jo, është njëra prej çështjeve të cilën e dëgjojmë çdo ditë.
Kjo çështje nuk mund të shikohet vetëm nga aspekti i pastër i politikës ditore.
Kjo çështje juridike, e shikuar nga aspekti real, na sjell deri tek përfundimi i patejkalueshëm që për këtë çështje- përgjigjen përfundimtare e ka dhënë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND).
Unë do t’ju rikujtoj që GJND në vendimin e saj mbi këtë çështje ka konstatuar se “gjykata nuk mund të pranojë argumentin që Rezoluta 1244 përmban ndalesën për shpalljen e pavarësisë, të obligueshme për nënshkruesit e Deklaratës së pavarësisë, e as ndalesa mund të nënkuptohet në gjuhën e Rezolutës, e kuptuar në këtë kontekst dhe duke pasur parasysh qëllimin e saj”.
Përfundimi final i GJND-së është, po citoj: “Deklarata e pavarësisë së Kosovës e datës 17 Shkurt 2008 nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit (1999) as kornizën kushtetuese”, prandaj edhe Gjykata vjen në përfundim që “aprovimi i kësaj deklarate nuk ka shkelur asnjë parim të drejtës ndërkombëtare”.
Ju, zotëri president, jeni distancuar nga Vuk Jeremiqi i cili çështjen mbi legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e ka dërguar në GJND.
Me qëllim të dhënies së kontributit në dialog, duhet të distancoheni edhe nga politika e Sllobodan Millosheviqit dhe të bëmat e tija në Kosovë.
Kosova paraqet vetëm njërin prej problemeve të rënda me të cilat ballafaqohet Serbia e sotme, por nuk është problemi i saj i vetëm.
Institucionet e dobëta, fuqia e “faktorëve të pakontrollueshëm”, partia- shtet dhe moszgjidhja e çështjes kryesore “ku tutje”, janë po ashtu probleme të rënda të Serbisë së sotme.
Sot Serbia, pa marrë parasysh iniciativat ekzistuese bilaterale dhe multilaterale për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor, ka probleme më shumë prej fqinjëve të saj.
Marrëdhëniet e Serbisë me Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnjën janë përkeqësuar. Marrëdhëniet me Shqipërinë do të varen nga dialogu me Kosovën.
“Serbia është e lodhur nga konflikti i vet me Evropën të cilin as nuk e njeh e as nuk e kupton. Është e lodhur nga opsioni i saj lindor, nga opsesioni i saj minimesianik, e lodhur nga prometejët e vet popullor, nga ortodoksia e saj fetare dhe politike” ka thënë me një rast Bogdan Bogdanoviq.
Unë mendoj që Serbia është e lodhur edhe nga Kosova.
Kur bëhet fjalë për shqiptarët që jetojnë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, e të cilët e përbëjnë njërën prej 3 pakicave nacionale (përveç Hungarezëve dhe Boshnjakve), të cilat janë territorialisht kompakte, ata janë diskriminuar në mënyrë sistematike.
Ky diskriminim ka për qëllim zvogëlimin e numrit të Shqiptarëve, por edhe mohimin e vazhdueshëm të kërkesave të shqiptarëve për më shumë të drejta dhe autonomi territoriale.
Në këtë moment kur kanë dështuar tri marrëveshjet e nënshkruara në mes të përfaqësuesve politikë të shqiptarëve dhe Qeverisë në Beograd, mund të them që pozita e shqiptarëve në Serbi është ngushtësisht e lidhur me statusin e serbëve të cilët jetojnë në Kosovë.
Serbia edhe më tutje ka për qëllim krijimin e një shteti njënacional dhe t’i bashkojë të gjithë serbët në një shtet, ndërsa në anën tjetër po punon në margjinalizimin e pakicave brenda territorit të saj.
Sot pakica shqiptare në Serbi, e në veçanti ajo që jeton në Luginë të Preshevës, jeton në pritje të zgjidhjes së statusit të vet në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, prandaj është i pakuptueshëm refuzimi Juaj që serbët në Kosovë të kenë Këshillin e tyre nacional, duke e vlerësuar atë si ide të stërvjetra, ndërsa në anën tjetër këtu lavdëroheni që pozita e pakicave në Serbi është përmirësuar pikërisht për shkak mundësisë së tyre për të themeluar këshillat nacionale.
Barazia në të drejta dhe standarde të njëjta do duhej të ishte parim i përgjithshëm në definimin e pozitës së pakicave në këtë rajon.
Krijimi i kushteve për vendosjen e mirëbesimit midis pakicës shqiptare dhe shtetit nënkupton vullnetin politik të Qeverisë për angazhim serioz për integrimin e shqiptarëve për të cilën Republika e Serbisë është obliguar në kuadër të tre marrëveshjeve që kanë të bëjnë me këto komuna.
Pasivizimi i vendbanimeve, e cila për qëllim ka zvogëlimin e numrit të shqiptarëve, duhet urgjentisht të ndalet, ndërsa të gjithë shqiptarëve ndaj të cilëve është aplikuar ky diskriminim t’u kthehen të drejtat qytetare.
Përfaqësimi proporcional në sistemin e drejtësisë, në polici, në organe shtetërore dhe në organe të tjera me rëndësi publike, është po ashtu test për demokracinë e këtij shteti.
Bashkë me domosdoshmërinë e zhvillimi ekonomik të këtij rajoni, çështja e teksteve dhe nostrifikimi i diplomave, përdorimi zyrtar i gjuhës dhe simboleve poashtu kërkojnë në zgjidhje.
Për shkak të shumëllojshmërisë nacionale në Republikën e Serbisë është më se i domosdoshëm decentralizimi, ndërsa në atë proces, për Beogradin do të duhet të ishte kërkesë logjike insistimi i Shqiptarëve për status të njëjtë me serbët në Kosovë.
Përshkak të diskursit gjithnjë e më të ashpër të përdorimit të gjuhës së urrejtjes i cili sot përdoret lirshëm dhe pa pengesa nga ana e funksionarëve shtetërorë është i patjetërsueshëm dekonstruktimi i stereotipave mbi “Shqiptarin imagjinar” duke i klasifikuar shqiptarët si kriminelë dhe si faktorë destabilizues dhe terroristë.
Për të gjitha këto është i domosdoshëm dialogu në kontinuitet.
Para marrëveshjes me Kosovën, Serbia duhet të ketë marrëveshje me Shqiptarët që jetojnë brenda territorit të sajë ndërsa në kuadër të këtij dialogu të respektoj tri marrëveshjet të cilat i ka arritur me përfaqësuesit legjitim të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës (2001, 2009, 2013).
Z. President, disa herë theksuat se dialogu duhet udhëhequr pa emocione, me mendje të kthjellët, dhe me përgjegjshmëri.
Një proverb thotë se “Historia është mësuesja e jetës” me këtë rast dua të citoj një bashkëkombës tuajin, Dimitrije Tucoviqin, i cili kishte thënë:
“Ëndrra për daljen në Detin Adriatik duke pushtuar Shqipërinë, i takon së kaluarës., por hija e saj edhe për një kohë të gjatë do ta errësojë qellin mbi popullin serb. Serbia ka dashur dalje në det dhe një koloni për veti, ka mbetur pa dalje në det, ndërsa koloninë e saj të ëndërruar e ka shndërruar në armik të përgjakshëm. Ka dashur të përjashtojë ndikimin e huaj nga Shqipëria, ka arritur vetëm ta forcojë atë. Me plumbin pushtues ka dashur një zgjidhje radikale, zgjidhje përfundimtare për të mirën e shtetit të vet në brigjet e Adriatikut, por, ka arritur që pushtetin e huaj definitivisht ta fortifikojë. Dëshira e saj për det ka dhënë rezultate të mbrapshta, sepse është tentuar me mjete të mbrapshta”.

Të fundit

më të lexuarat