
Nga themelimi i tyre, pushteti është synimi kryesor i partive politike në pluralizëm dhe si të tilla angazhohen me tërë kapacitetin për të arritur qëllimin. Por, praktika e deri tashme dëshmon se për të realizuar objektivin nuk zgjedhën mjete, sepse pushteti është karrem për të gjithë pjesëmarrësit në skenën politike, ku përvoja 30-vjeçare ofron mundësi për analiza dhe përfundime në këtë drejtim.
Kulturën politike nuk duhet trajtuar si dukuri të izoluar nga raportet shoqërore, por e kundërta- si pjesë e realitetit shoqëror të pluralizmit politik. Është çështje tjetër se në vendet e ish-kampit socialist pluralizmi është ende i pakonsoliduar dhe si i tillë shkakton pakënaqësi të natyrave të ndryshme, madje edhe zgjedhje jo të lira dhe të kontestuara nga qytetarët e mjediseve përkatës. Pikërisht nga manipulimi dhe mosbesimi ndaj pushtetit, opozita në ca vende ka bojkotuar zgjedhjet, ku si dëshmi është rasti në Serbi vitin e kaluar, apo zgjedhjet lokale në disa komuna në Mal të Zi më herët nga opozita proserbe! Po ashtu rikujtojmë me këtë rast edhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri nga PD në vitin 2019.
Kultura politike – dëshmi e subjekteve dhe e individëve
Por, si qëndron situata në hapësirën etno-gjeografike shqiptare ku veprojnë një numër i konsiderueshëm i partive politike. Me paraqitjen e pluralizmit në skenën politike u shfaqjen shumë subjekte politike me ambicie për të qenë pjesë e pushtetit në nivel lokal dhe atë qendror. Në këtë dimension, hapësira etno-gjeografike shqiptare ofron të dhëna për qasje multidimensionale, ndërsa me këtë rast në mënyrë të veçantë do të trajtojmë kulturën politike që është dëshmi e individëve dhe subjekteve politike pjesëmarrëse në fushatat zgjedhore. E cekim fushatë parazgjedhore sepse pas zgjedhjeve, varësisht nga rezultati i arritur ndryshon edhe qëndrimi i tyre ndaj konkurrentëve politikë.
Në këtë gamë të çështjeve janë përfshirë edhe gazetarë, apo analistë të ndryshëm(!?) të cilët me komentet e tyre kanë humbur etikën, sepse me apo pa qellim përdorin fjalë të padenja që nuk i nderojnë, sepse fushatat kanë kohën e kufizuar, deri në ditën e zgjedhjeve. Trajtimi i çështjeve në mënyrë të njëanshme, me egoizëm dhe xhelozi, duke tentuar të njollosin individët apo subjektet e ndryshme, nuk është në favor të realitetit dhe të analizës së raporteve shoqërore. Një qasje e tillë është e tejkaluar, sepse qytetarët kanë përvojë të mjaftueshme për të kuptuar realitetin shoqëror dhe interesin e individëve apo të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
Qytetarët nuk i pranojnë manipulimet
Në këtë aspekt, rasti i deformimeve të skenës politike në Kosovë, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, dëshmoi qartë se qytetarët nuk pranojnë mashtrime e tallje nga partitë politike, të cilët për interesa personale apo të klaneve të ndryshme nuk mbajtën premtimet parazgjedhore, por i zhgënjyen pas zgjedhjeve. Rasti i LDK është rast tipik i dënimit nga qytetarët për manipulimet e zgjedhjeve, që u dëshmua me përgjysmimin e e elektoratit, duke e ulur këtë subjekt politik në rezultatin më të dobët historik të saj(!).
Ishte ky leksion demokratik nga elektorati, sepse nuk kanë mundur të përpijnë zhgënjimin partiak, andaj e dënuan me votën e tyre, ashtu siç e kanë merituar. Një veprim i tillë joparimor kishte të bënte kryesisht me dy çështje kyçe; prishjen e koalicionit me LVV(shkurt-mars 2020) dhe largimin e V.Osmanit nga LDK, si deputetja më e votuar, ishte shkaku i disfatës së LDK, që ndikoi në fitoren historike të LVV, me 50.28% të votave të përgjithshme.
Nga ana tjetër, me rastin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri me 25 prill 2021, kishim një fushatë plot tensione sidomos në dhjetëditëshin e fundit, ku nuk munguan incidentet fizike, madje edhe plagosje e vrasje të individëve! Ishin këto veprime të cilat nuk janë në favor të zgjedhjeve dhe të qytetarëve, por si duket individë militantë apo klane të ndryshme partiake e kishin si skenar për të realizuar obligimet e tyre para padronëve për përfitime politike. Dukuritë e tilla nuk janë të panjohura, sepse kanë ndodhur edhe më parë duke dëshmuar se kemi të bëjmë me mungesën e kulturës politike në pluralizëm si kudo në botën e qytetëruar.
Sondazhet – dëshmi e momentit
Çështje të veçantë paraqet publikimi i sondazheve të realizuara nga subjekte të ndryshme, duke ofruar të dhëna për momentin kur janë zhvilluar ato. Ne këtë aspekt disa subjekte apo agjenci janë të specializuara që parashikojnë rezultatet zgjedhore ne diferencë të vogël, duke krijuar besueshmëri te opinioni i gjerë. Në këtë aspekt sondazhet e realizuar para zgjedhjeve të 14 shkurtit ishin unike, sepse dihej më herët se LVV do të jetë fituese e zgjedhjeve, por çështja qëndronte se cila parti do të jetë e dyta dhe e treta.
Nga ana tjetër, para zgjedhjeve të 25 prillit ë Shqipëri, sondazhet i jepnin përparësi PS, ndërsa PD dhe LSI së bashku kishin luhatje sepse së bashku dilnin afër PS e madje disa i paraqitnin edhe si fitues të zgjedhjeve. Dilema ka qëndruar te partitë e vogla konkurruese, sepse askush nuk i ka llogaritur si mundësi e mbështetjes nga elektorati votues duke iu prishur llogaritë PS e PD-LSI. Një konstatim të tillë e ka mundësuar sistemi zgjedhor se do të ishte situatë tjetër po qese Shqipëria të ishte si një njësi zgjedhore, e jo në 12 qarqe siç është tani.
Zhvlerësimi i debatit publik
Çështje të veçantë paraqesin mediat të cilat prezantojnë kandidatët, partitë politike dhe programet e tyre në fushatën parazgjedhore. Por, megjithë angazhimin për të qenë korrekt me publikun dhe elektoratin, në shumë media është zhvlerësuar debati publik, duke humbur misionin e tyre.
Sepse në vend që mediat të angazhohen nga analizimi i programeve partiake, duke prezantuar përparësitë ndaj subjekteve konkurruese dhe dobësitë e pushtetit në mosrealizimin e premtimeve parazgjedhore e në veçanti në dështimin e qeverisjes në shumë drejtime, jemi dëshmitarë se ata janë shndërruar në arenë sharjesh e fyerjesh në mes të ashtuquajturve analistë, duke zhvlerësuar debatin publik.
Po ashtu bie në sy se mediat në programet e tyre pothuaj ftojnë të njëjtit mysafirë në programet e tyre, qe jep për të kuptuar se ata janë të pazëvendësueshëm, madje janë bërë gjithologë, sepse i japin vetes të drejtë të diskutojnë për të gjitha temat. Nga një veprim i tillë joserioz të shikuesit krijon antipati me efekte negative për mediat!
Kujtojmë këtu zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, që u dëshmua një debat të paartikuluar politik në mediat elektronike, me njëanshmëri e diletantizëm personal që nuk nderojnë as mediat që i ftojnë mysafirët apo opinionistët e tillë të cilët kanë mungesë të kulturës personale dhe qasjeve profesionale.
Marketingu politik si mision
Është bërë dukuri e përgjithshme se nëse nuk marrin pjesë në debate televizive nga strukturat partiake, partitë politike të angazhojnë gazetarë e analistë të ndryshëm për mbështetje, të programit apo pikëpamjeve të tyre. Dhe të tillët nuk shqetësohen për retorikën dhe fjalorin e përdorur, sepse si qellim kanë të realizojnë „besueshmërinë“ e tyre ndaj subjektit të cilin e mbështesin. Madje sa me banal të prezantohen, për çudi më shumë kanë ftesa që të marrin pjesë në debatet televizive.
Dukuria e tillë nuk është tipike vetëm për partitë opozitare, por është edhe për pozitën, sepse marketingu politik ka vetëm një mision, për ta sulmuar konkurrentin e garës zgjedhore. Sepse qëllimi arsyeton mjetet, për të reflektuar në elektoratin votues në zgjedhje që sipas tyre arsyeton fjalorin e prezantuar në këto debate publike.