
Të vdesësh e të varrosesh si njeri, jo si shifër!
E vendos pikërisht këtu, pa ia ndërruar, shtuar as munguar, pikë as presje, asaj bime të brishtë (fragile), asaj grimë tekst, më shumë, si protestë, si reagim, se sa si tregim, a diçka tjetër!
“Kurrë s’i jam frikësuar vdekjes. Me mirë së vjen, do ta pres kurdo që të vjen, kam pohuar përherë, sinqerisht dhe, pa gënjye asnjëherë. Por kjo ishte dikur. Tash, në kohë pandemie e karantine, është pakëz më ndryshe! Vdekja vjen me vakt a pa vakt. Herët a vonë. Vdekja gjithmonë vjen në vakt të duhur. Në sahatin e ‘dekës. (Çdo qenie njerëzore, por jo vetëm, ka dekikun e Lindjes dhe të Vdekjes!). Është gabim kur thuhet se dikush, qoftë fëmijë, i ri apo e re, plak a plakë, vdiq pa vakt! Në çastin që njeriu vdes, vdes me vakt. Deri aty e ka pasur dekikun, rriskun e jetës. Finalen e rrugës jetësore. Të gjatë apo të shkurtër. Mate si ta matesh! Vdekja vjen e paftuar. Pa orar as rend të caktuar. Nuk pyet fare. Po të me pyeste mua, bie fjala, unë do ta shtyja për nesër. Për një ditë më vonë, do ta shtyja. Në mos për asgjë tjetër, për aq sa kjo grimë teksti, të sheh dritën e botimit! Shih, pra, sa të imëta janë arsyet që vdekja të shtyhet së pakut për një çast. Si të padukshme, mikroskopike janë arsyet që vdekja të shtyhet për një herë tjetër, për një ditë më vonë. Kur arsyet e motivet janë më të mëdha, më afatgjata, atëherë, kush e di, për sa kohë, vdekjes do t’i thuhej: kapërcemë, me le rehat, ec rrugës sate, këput e the qafën…”!).
Në parantezë (Pasi që, lindja ime nuk ishte pritur kurrqysh, me lot pikëllimi ishte pritur, nuk ishte shënuar me asnjë shenjë gazmendi, qoftë edhe në kuptimin simbolik të fjalës, pa asnjë fjalë të vetme miradije, nuk me ishte uruar mirë së ardhja në këtë jetë, shkurt e shqip, në pellgun e kësaj llahtarie, të kësaj stine të pa gjethe e, të pa mugullim, në shtrëngatë pandemie e paniku, kur brenda ditës, në të katër anët e botës regjistrohen me mijëra e mijëra të vdekur, viktima të epidemisë së Coronavirusit, jo, jo, nuk denjoj të vdes assesi, si pre epidemie. Të rreshtohem e të shtoj edhe një shifër (numër), midis milionash. Të shkoj si qeni në rrush, si ia thonë fjalës, andej nga nahija jonë e Shqipërisë veriore, në Kosovë! Gjithmonë, kam ëndërruar që, kur të vdes, të varrosem solemnisht e me dinjitet. Me nderime e homazhe. Për në banesë të fundit të me përcjellin me fjalime e nderime të tjera mortore. Lamtumira ime me këtë botë, të ndiqet me muzikë klasike të kompozitorëve të njohur, të Wagner-it, bie fjala. Të shkruajnë gazetat. Të flasin radiot dhe televizionet… E jo të groposem, heshtur e pa ceremoni, pa hijeshi. Të shkoj si macja në thes, të shkoj si qeni në rrush, siç shkonin e tretnin dikur, viktimat xhaxhit. Si mijëra viktimat e luftës në varrezat masive, të kodoshit Millosheviq!).
(Gaillard, 11.5.2020!).
(Data në fund të shkrimit (15 maj 2020), është edhe një dëshmi më shumë, për mikun tim, dhe për të gjithë lexuesit e tjerë eventualë, se këtë “projekt” e fillova më herët. Me kalimin e kohës, gjithnjë e më tepër jam buzë greminës së dyshimit që më bren e gërryen si me limë çeliku se, si (e kur) do ta përfundoj këtë aventurë, këtë udhë të paudhë, që përmbysi dynjanë*, mbarë botën dhe njerëzimin e qiti në dy gjunjë. Natyrisht, edhe kësaj dileme i gjendet çarja disi. Ekziston një “point final” , sikurse francezët i thonë pikës përfundimtare, që, në këtë rast, është jo vetëm përfundimtare, por edhe shpëtimtare, në të njëjtën kohë!).
*Thuaja këngës vajtuese: “Tri ditë ymër kena, o n’kët’ dynja…”!
Shtesë: Prejse në qiellin e paanë të Planetit tonë, prejse në horizont u shfaq ky korb i zi, kush nuk vdiq më, nga vdekja natyrale, mosha e shtyrë e të tjera, as nga asnjë sëmundje tjetër, robi i zotit, kudo në botë, ndërkohë vdiqët vetëm nga pandemia Covid-19. Sikur u hodhën në harresë sëmundjet e tjera të rrezikshme, kanceri, në të parin rend, pastaj sida*, sëmundja e sheqerit (diabeti), veremi (tuberkulozi)…, që, deri dje, ishin lëngime të “popullarizuara”, të shpeshta, kur, përditë e, krejt pamëshirshëm, shkurtonin e shuanin jetë të mijëra, miliona fatzinjve të kafshuar nga këto sëmundje të egërshane e katile, të pashpirt. Të mos harrohen viktimat nga to, kudo në botë. Janë e vazhdojnë të jenë shumë e të shpeshta. Është gjynah t’i ikin vëmendjes!
- Kur është fjala për sidën, e shartoj këtu një mahi, gazmore a qesëndi, tragjike në vërtetësinë e saj të jetuar, me prejardhje nga Bosnja (made in Bosnia!), i vetëdijshëm, se kjo ngjanë si të luhet një komedi në thelbin e një tragjedie të egër e të pa mëshirshme, ngjanë si një hith i sertë midis krizantemash. “Babo, i shkruan babës, që jetonte, diku në një provincë, në zonë të thellë malore kodrinore, në një vukojebina (që në shqip i bie: atje ku dreqi bën vë(zë), të kësaj ish-republike fatmjerë, që i përkiste gjirit të ftohtë, të ish-Jugosllavisë: “Babo, dovest ću ti Sidu iz Amerike”! “Ako, sine, ako, samo nek’ je muslimanka”! (“Babë, nga Amerika do ta sjell Sidën” – “Ani mirë biro, mirë, veç lë të jetë myslimane”! I dredh përgjigjën plaku boshnjak, djalit të tij që, para shumë vjetësh, kishte mërguar në Amerikë, pa e pasur idenë, plaku i gjorë e krahëthatë së, Sida është një sëmundje e keqe, po aq katile, e cila ua shkurton jetën mijëra e mijëra njerëzve fatkeq, në botë!
*
Posa lind, çdo qenie e gjallë, nis të vdes!.
Qëllimshëm, (nuk është gabim shtypi!), përsëritet, nënvizohet, ngjyroset me shumë të zi nuancohet, potencohet: Vdekja, vjen e paftuar, zakonisht. Pa orar, as rend të caktuar. Nuk pyet fare. Po të më pyeste mua, bie fjala, unë do ta shtyja për nesër. Për një ditë hesapi, do ta shtyja. Në mos për asgjë tjetër, për aq sa kjo grimë teksti, të shohë dritën e botimit! Shih, pra, sa të imëta mund të janë arsyet, si të padukshme (të paudhë!), mikroskopike, që Vdekja të shtyhet për njëherë tjetër, qoftë edhe për një ditë më vonë. Kur arsyet e motivet janë më të mëdha, kur arsyet dhe motivet, janë më afatgjata, atëherë, kushedi për sa kohë, Vdekjes do t’i thuhej: kapërcemë, më le rehat, ec rrugës sate, këput qafën, moj shtrigë-shtrige!
*
Kujt i flas, i shkreti unë, shkretan. Kujt i shes mend, me broçkulla të tilla të njohura dhe bajate! Por, ja që erdhën ditët idiote. Kohë të llahtarshme (le të me lejohet të përdor një fjalë të dashur, fjalë të preferuar nga ana e Lasgushit, poet yni i urtë lirik (I hëngra fjalët: denjoja të them Lasgushit tonë të pavdekshëm, thashë: Lasgushit tonë të urtë!. Këtu, nis e sos, fjala është për Vdekje, prandaj shprehja i pavdekshëm, tingëllon ndryshe, ngase është boshe dhe e pakuptim gjithnjë. Në këtë botë kopile, shejtankë, mashtruese dhe të pabesë, asgjë, ama bash asgjë, nuk është e pavdekshme, pra, e përjetshme. E gjithmonshme. Në çastin që lind, çdo qenie e gjallë, nis të vdesë!
Dy herë, radhazi, dy herë, madje në majën e kulmit të krizës, të fushatës korrje-shirje (nëse mund të quhet edhe kështu!), Pandemia më provokoi, por, si të thuash, më “tradhtoi” duke më anashkaluar. Herën e parë, në fund të muajit mars të këtij viti të kobshëm. Herën e dytë, në mes të muajit prill, po ashtu, të këtij viti të zi! Sa pandeha se shpëtova, erdhi muaji i dimrit, muaji i murrmë dhjetor. Egërshan. I kërleshur. Bashkë me të edhe Covid-19. Erdhi pikërisht, sikurse thashë edhe më përpara, në çastin kur kujtova se më anashkaloi. Më gjeti (zuri) të papërgatitur fare! Kisha në plan të realizoja edhe shumëçka. Edhe shumë punë të kryeja. Nëse jo asnjë tjetër, sa ta mbaroja këtë shkrim dhe ta shihja të zbardhur në faqe gazete a reviste. Në faqet e revistës letrare “Akademia” të Prishtinës apo në të simotrës së saj, revistën letrare të Tiranë, (“Illz”), saktësisht, apo ndoshta në revistën letrare shqiptare “Haemus”, udhëhequr nga dueti i vyer Kyçyku (atë e bir), dikur pogradecarë (enkelanas), tashti, bukureshtarë të natyralizuar, në javoren Koha Javore (shqiptare podgoricare)! Diku, po, me kesmet!. A në të gjithat, veç e veç, pse jo! (Ja, sa të imëta, si të padukshme fare, mund të jenë arsyet dhe motivet për shtyrjen e vdekjes për më vonë! Më pastaj mund të vdes kur e ku të dua. Po edhe nga Covid-19, në fund të fundit. Kjo gatishmëri që të vdes fill pasi të realizohet dhe të botohet ky shkrim, sikur me së miri fuqizon atë thënien-kushtrim të poetit të (pa)vdekshëm Azem (Shkreli), kur porosit: …mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë…, mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë…
*
Përbirja për vesh gjilpëre, shpëtimi nga krehanë e nofulla të vdekjes së shpejtë e për adalet, më sollën dy gjëra, dy sqarime, përnjëherë. Një të mirë, e një jo fort të mirë. E mira ishte se profecia e birit tim, Mic, për kënaqësinë e gëzimin e tij më të madh, nuk u plotësua. Ndonëse i kafshuar nga të gjitha anët, nga sasi e pakufishme sëmundjesh shoqëruese, mbijetova Covid-19. Betejën e fitova. E dyta, jo fort, por hiç e mirë, të galmë ishte fitorja e ngadhënjimi, kur më vinte në siklet se duhej të vazhdoja (e të përfundoja, dosido), ketë tekst të mundimshëm, që, për bira hundësh (e veshësh), shpirtin ma nxori dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të dalë asgjë prej tij. Asnjë rendiment me vlerë të veçantë (lus perëndinë që kështu, si unë, të mos mendojnë redaktorët dhe përgjegjësit e tjerë kompetentë për çështje botimi të këtij shkrimi!). Në fillim, isha entuziast. Isha naiv e gurman i paepur, i vyeshëm, bash si bleta krahëlehtë kur kërcen lule më lule e mbledh nektar. Nuk më ikte e nuk më shpëtonte asgjë pa shënuar. Pa evidencuar nga “faqe” fesjbuku, interneti, pa marrë ujemin nga të gjitha burimet që sillnin kurdo e çfarëdo lajmi (të mirë e të keq, të keq kryesisht!), e të reja të tjera që do të ndërtonin disi kullën time të prozës urbane, në kohë pandemie. Më mbuloi meraku, të mblidhja, të regjistroja e të sistemoja, sa më shumë, përvojat e të tjerëve, të atyre që kishin mbijetuar, që kishin kaluar nëpër këtë golgotë dhe kishin dalë triumfues, ngadhënjyes! Tashmë nuk më duheshin dëshmitë e tyre. Isha vetë dëshmitar. Vetë ngadhënjyes e triumfues i përmjerë, “hero”, që kisha dalë fitues në arenën e kësaj fushëbeteje të përmasave botërore, gjithënjerëzore. Jo, mor, jo! Ndërkohë, pandemia “kishte prerë” koka të ndritshme mendimtarësh e shkrimtarësh të njohur nga e gjithë bota, midis të cilëve ndodheshin edhe disa miq të mi të shtrenjtë. Në fillim, them, isha optimist kokëbosh, si një i ri e naiv të isha. Në anën tjetër, optimist nuk isha fare, aspak, hiç. Tash edhe me pak! Më është përzier puna e më është bërë tërkuzë. Lëmsh i ngatërruar. Ec e bjeri në fije ç’ka ndodhur para se mua, personalisht, të më mbërthente Covid-19, e çka pas tij! Por, hajt, grahi e mos grij shumë ujë në havan, më pëshpërit në vesh një zë i një hijeje të dikujt të padukshëm dhe sikur më urdhëron: ec përpara, mos u ndal, ashtu si e fillove, ashtu edhe mbaroje! Si e nise, bitise! (Hiç, bre, hiç nuk e dua fjalën bitisje, në çfarëdo trajte të mundshme të shfaqjes së saj!). Mor, kush po të pyet çka ke e çka s’ke ti mërzi. Këput qafën e çaj, ec përpara. Çaj terrin e dil prej tij, ose mbytu brenda tij!
