Plavë – Me vënien e gurthemelit për ndërtimin e Shtëpisë për të moshuarit në Plavë, të cilin në mënyrë solemne në praninë e një numri të konsiderueshëm qytetarësh, e bënë ministri i Punëve dhe Përkujdesjes Sociale të Qeverisë së Malit të Zi në mandat teknik, Admir Adroviq dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, të mërkurën më 7 dhjetor 2022, ka filluar investimi shumë i rëndësishëm i cili ka për qëllim përkujdesjen e sigurt të bashkëqytetarëve të moshuar dhe shpreh denjësisht qëllimin e qartë që personave të moshuar t’u sigurohet trajtimi adekuat dhe t’u mundësohen kushte cilësore për jetesë.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, me rastin e vënies së gurthemelit ka theksuar se administrata lokale vërtetë i është përkushtuar realizimit të këtij projekti, i cili do të sjellë benefite të shumta për banorët lokalë, në radhë të parë për personat e moshuar (pleqtë), për ç’gjë mbështetja e Komunës së Plavës ka qenë e pakontestueshme dhe është tregues i orientimit në nevojat e vërteta jetësore të bashkëqytetarëve.
“Besoj që Shtëpia për të moshuarit do të jetë vendstrehim i sigurt për bashkëqytetarët e kësaj kategorie ku do t’ua sigurojmë qëndrimin e këndshëm dhe të sigurt, kujdesin dhe mbështetjen në mbrojtjen cilësore shëndetësore, kushte adekuate për pushim dhe rekreim, shoqërim dhe aktivitete shoqërore”, ka thënë në fjalën e rastit kryetari Canoviq.
Ai në vazhdim ka konfirmuar se hapja e këtij institucioni është i rëndësishme për Plavën për shumë shkaqe, duke përmendur hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe ardhjen e shfrytëzuesve nga komunat e tjera të cilat në territoret e veta nuk kanë shtëpi për të moshuar.
“Me rëndësi të jashtëzakonshme është ajo që në këtë institucion për persona të moshuar do të jetë i siguruar komplet kujdesi dhe mbrojtja shëndetësore, vendstrehimi komod, por edhe ndihma profesionale, sociale dhe psikologjike”, ka konfirmuar kryetari Canoviq.
Po ashtu, sipas fjalëve të kryetarit, investimi në fjalë pos asaj që i kontribuon avancimit të shërbimeve sociale, jep volant shtesë dhe impuls të ri zhvillimit të Plavës.
Ministri i Punëve dhe Përkujdesjes Sociale, Admir Adroviq, me rastin e vënies së gurthemelit ka theksuar se do të ndërtohet objekti për 62 shfrytëzues me qëllim të avancimit të sistemit të mbrojtjes sociale të qytetarëve më të moshuar.
“Vlera e çmuar e projektit është rreth 2.8 milion euro. Ai do t’u ofrojë kujdesin dhe mbrojtjen shëndetësore shfrytëzuesve si dhe shërbime të tjera të shumta, me qëllim të avancimit të kushteve të jetës së qytetarëve të moshuar”, ka thënë ministri Adroviq.
Komuna e Plavës për ndërtimin e Shtëpisë për të moshuarit ka siguruar truallin të cilin e ka liruar nga kompensimi për pajisjen komunale të tokës ndërtimore. Projektin e implementon Drejtoria e projekteve kapitale, ndërsa kryerës i punimeve është firma LD Gradnja.
Shaban Hasangjekaj
