Ulqin – Asociacioni Kulturor Ndërkombëtar (IKA) në bashkëpunim me Sekretariatin për Kulturë, Sport, të Rinj dhe Veprimtari Shoqërore të Komunës së Ulqinit organizuan të premten mbrëma në sallën e Qendrës për Kulturë në Ulqin mbrëmjen letrare në kuadër të manifestimit “T’i afirmojmë krijuesit e rinj letrarë të Malit të Zi” deri në 18 vjeç.
Nismëtari dhe organizatori i këtij manifestimi, siç është thënë unik dhe që organizohet për të parën herë në nivel të të gjitha komunave në Malin e Zi, Velko Veloviq, kryetar i IKA-s, një asociacion që ekziston prej disa vitesh, ka treguar se kjo është mbrëmja letrare e 22-të që organizohet nëpër komunat në Malin e Zi e që ka për qëllim afirmimin dhe nxitjen e fëmijëve dhe të rinjve për krijimtari letrare.
Ai ka thënë se është i befasuar me numrin e pjesëmarrësve.
“Ne si IKA së bashku me Sekretariatin për Kulturë dëshirojmë t’i tregojmë jo vetëm Ulqinit, por edhe krejt Malit të Zi se këta fëmijë janë e ardhmja e Malit të Zi”, është shprehur ai.
Veloviq ka thënë se theksi i këtij manifestimi është te krijimtaria, letërsia, kultura, në afirmimin e të rinjve, fëmijëve, sidomos deri në 18 vjeç,
“Dhe nuk kam kurrfarë problemi të them se bëjmë punën e Ministrisë së Kulturës, sepse ata nuk e bëjnë punën e tyre siç duhet”, ka theksuar ai.
Sekretari për Kulturë, Sport, të Rinj dhe Veprimtari Shoqërore i Komunës së Ulqinit, Artan Çobi, ka thënë se ky sekretariat do të jetë gjithmonë i gatshëm që t’i mbështesë aktivitetet që kanë të bëjnë me promovimin dhe nxitjen e talenteve të reja në çdo fushë.
“Ky manifestim tregon shumë që fëmijët dhe të rinjtë tanë janë shumë aktivë dhe punojnë në vetvete. Vetë prania e tyre, numri i punimeve që kanë ardhur për një kohë shumë të shkurtër na inspiron dhe na shtynë që edhe në të ardhmen të jemi të gatshëm që të mbështesim iniciativa dhe manifestime të tilla”, ka thënë ai.
Në konkurs janë paraqitur 94 punime në poezi dhe prozë të shkurtër nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Ulqinit, si dhe Medresesë “Mehmed Fatih” në Tuz.
Juria e përbërë nga profesoresha e letërsisë Azra Gllavatoviq, poeti Ali Gjeçbritaj dhe poetja Eva Sekuliq kanë zgjedhur tri punimet më të mira. Në fushën e krijimtarisë letrare fituese është shpallur Blendisa Xhurretoviq nga shkolla fillore “Marshall Tito”, vendi i dytë i ka takuar nxënëses Mersiha Lleshi nga Medreseja “Mehmed Fatih” – Milesh (Tuz), kurse vendi i tretë nxënëses Mija Zhivanoviq nga shkolla fillore “Boshko Strugar”. Në kategorinë e recitimeve, recituesi më i mirë është zgjedhur nxënësi Isar Kaca.
Recituesit më të mirë nga të gjitha komunat do të përfaqësojnë komunën e tyre në manifestimin qendror që do të mbahet në Cetinë, më 15 dhjetor, kurse fituesit e vendit të parë për krijimtari letrare do të përfaqësojnë komunën e tyre më 20 dhjetor të këtij viti në Podgoricë.
i. k.
