Ndërtimi i rrugës Plavë-Deçan nxit zhvillimin e turizmit dhe qarkullimin e njerëzve

Podgoricë – Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, ka pritur të mërkurën e kaluar (23 nëntor 2022) Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka – Hoxha.
Në deklaratën për shtyp të Qeverisë së Malit të Zi thuhet se kryeministri Abazoviq dhe ambasadorja Zherka – Hoxha janë pajtuar se dy shtetet kultivojnë bashkëpunim korrekt dhe dinamik, për ç’gjë dëshmojnë edhe takimet e shumta në nivele të ndryshme me qëllim të konkretizimit të projekteve me interes të përbashkët në fushën e ekonomisë, transportit dhe turizmit.
Në këtë kontekst, gjatë takimit është theksuar sidomos puna për ndërtimin e rrugës Plavë-Deçan dhe firmosja para pak kohësh e Memorandumit mbi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në realizimin e projekteve infrastrukturore ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës. Lidhur me këtë, Abazoviq ka theksuar se pritet të zhvillohet një takim në nivelin teknik, por edhe për projekte të tjera të shumta infrastrukturore, që përpos mobilitetit dhe lidhjes më të mirë të njerëzve, do të ndikojnë edhe në zhvillimin e turizmit në ato treva.
Kryeministri Abazoviq dhe ambasadorja Zherka – Hoxha po ashtu kanë biseduar edhe për realizimin e një forumi të përbashkët të biznesit, i cili do të kontribuojë në zhvillimin dhe lidhjet më të mira të dy shteteve, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat