Tuz – Komuna e Tuzit me një ceremoni solemne shënoi 15 Dhjetorin – Ditën e Çlirimit të Tuzit nga forcat naziste të vitit 1944, ku në sallën e QKI “Malësia” qenë të pranishëm përfaqësues të administratës lokale, përfaqësues të partive politike në vend, të institucioneve shtetërore, fetare dhe qytetarë.
Pas intonimit të dy himneve, atij shtetëror dhe kombëtar, fjalën e rastit e mbajti kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj i cili theksoi se si sot më 15 dhjetor të vitit 1944, plot 78 vjet më parë, u largua edhe ushtari i fundit nazist gjerman, duke u çliruar vendi nga njolla e zezë e shekullit të kaluar.
“Përkujtojmë sot të gjithë ata burra dhe gra të cilët/at në Luftën e Dytë Botërore nuk pranuan zgjedhën e të huajve, por u ngritën kundër saj. Përkujtojmë martirët tanë të lirisë të cilët kundërshtuan forcat ushtarake të fuqive të mëdha shkatërruese që i njohu bota e deriatëhershme, e fuqive të dy ideologjive, e asaj fashiste dhe naziste, vetëm për të ruajtur dinjitetin e vetë dhe të pasardhësve të tyre”, u shpreh ndër të tjera Kajoshaj.
Ndërkaq mbi këtë ngjarje foli edhe nënkryetari i Komunës së Tuzit, Haris Ramoviq i cili tha se kjo datë e rëndësishme është rast të kujtojmë përkushtimin dhe rolin e qytetarëve të Tuzit në luftën për çlirim ndaj okupatorëve.
Në të njëjtën kohë, gjatë këtij aktiviteti solemn u bë edhe ndarja e Çmimit “15 Dhjetori – Dita e Çlirimit të Tuzit”. Juria për ndarjen e këtij çmimi përzgjodhi si fitues të sivjetshëm Dr. Halil Dukoviq me motivacionin: “Për kontributin në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe avancimit të zhvillimit shoqëror në Komunën e Tuzit”.
Kjo ceremoni solemne u shoqërua me një program kulturoro-artistik, ku disa pika instrumentale me fyell i ekzekutoi fyelltari i shquar, Shtjefën Ujkaj, dhe SHKA “Deçiq” me disa valle.
Në përkujtim dhe nderim të kësaj date, nënkryetari i Komunës së Tuzit, Haris Ramoviq vendosi lule pran bustit të heroit “Mahmut Lekiq”, dhe pran monumentit të “Ushtarëve të rënë” në Cem – Rakiq.
t. u.
