Kullat e moçme të Malësisë, simbole të mbijetesës, qëndresës dhe krenarisë

Kullat e Malësisë dikur ishin institucione, respektivisht kuvende të cilat ruajtën gjuhën dhe zakonet shqiptare. Ishin pjesë e historisë sonë të lavdishme krenare e atdhetare , simbole të mbijetesës, besës, e qëndresës

Gjekë Gjonaj

Në trevën e Malësisë ka disa kulla të vjetra. Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala “KULLË” sqarohet kështu: “Shtëpi e lartë prej guri me dy a tri kate, e ndërtuar zakonisht në një vend të ngritur, me dritare të vogla dhe me frëngji, që shërbente si banesë dhe për mbrojtje”. Jepen edhe disa interpretime të tjera, por në këtë kontekst, pak a shumë ka këtë kuptim të paraqitur.
Numri më i madh i kullave në Malësi janë ndërtuar gjatë shekullit XIX dhe në çerekun e parë të shekullit XX. Këto kulla të moçme të malësorëve në masë të madhe nuk janë kulla tipike të mëdha trekatëshe e katërkatëshe, siç janë për shembull kullat e Nikajve, Mërturit, Dukagjinit, Dragobisë, Valbonës, Krasniqes, Gashit, Lumes, Kosovës, Mirditës, Matit, Pukës, Dibrës, Elbasanit, Labërisë, Çermenikës, Gores, Shpatit, Dumresë, Vermoshit, Selcës, Shkrelit, Plavës e Gucisë, Vishnjevës, etj. Këto pasuri të mëdha të Malësisë, si banesa popullore fshatare një ose dykatëshe dallohen nga banesat popullore për karakterin dhe funksionimin e tyre të theksuar mbrojtës. Ato shquhen me arkitekturë autoktone shqiptare. Janë të punuara kryesisht prej gurit të gdhendur.

Këto monumente të kulturës , sikur të riparoheshin, do të ishin një resurs turistik krejt i virgjër, i pashfrytëzuar, por për fat të keq i “ paftuar” në strategjitë e zhvillimit turistik të Malit të Zi. Me heshtjen e tyre kullat në Malësi presin rigjenerimin e tyre dhe vënien sa më parë në dispozicion të popullsisë së vet, në mënyrë që kjo trashëgimi e pallogaritshme kulturore të bëhet më e dukshme për sytë e Evropës, si dëshmi e njërit prej popujve më të vjetër të kontinentit tonë


Dikur në këto kulla pati jetë e vdekje. Lindën fëmijë e u bënë burra. U përkundën djepat. U falën gjaqe. U shtruan me mijëra herë sofra me bukë e kripë e zemër. Në ato kulla, gjyshërit e gjyshet, stërgjyshërit e stërgjyshet tona pritën dhe përcollën miq, por edhe të tjerë, sepse dera e malësorit ishte e hapur për çdokënd, madje edhe për njerëzit me të cilën familja mikpritëse ka pasur hasmëri . Prej këtyre kullave ka marrë rrugë vdekja, hidhërimi, dasma dhe gëzimi. Këtu ka marrë rrugë edhe kënga e trimërisë. Në to ka filluar edhe lufta. Por janë kënduar edhe këngë lirike e idilike. Brenda tyre të rinjtë janë edukuar në frymën e atdhetarisë dhe të mbrojtjes së vendit të vet. Në kullat e malësorit (shqiptarit), në odë të burrave, kryefamiljari ka qenë i gatshëm gjithmonë për ta pritur mysafirin. I ka siguruar një strehë, zjarr, por edhe një kafshatë bukë.
Kullat e Malësisë dikur ishin institucione, respektivisht kuvende të cilat ruajtën gjuhën dhe zakonet shqiptare. Ishin pjesë e historisë sonë të lavdishme krenare e atdhetare , simbole të mbijetesës, besës, e qëndresës. Me kalimin e viteve ne i lamë ato të vetmuara, të harruara. Tashmë këto objekte banimi të malësorëve janë të lëna pa zot. Të harruara nga të gjithë, edhe nga shteti edhe nga i zoti i tyre. Në mëshirë të fatit. Shumicën prej tyre i prishi dhe i shembi koha. U dëmtuan shpesh nga pakujdesia individuale dhe marrëzia kolektive. Tash së voni i prishi edhe dora e njeriut. U shembën bashkë me historitë e pa treguara. Por, janë një numër i vogël sosh që kanë mbetur të pa eksploruara në brenditë e tyre , ose janë riparuar nga familjarët .
Këto monumente të kulturës , sikur të riparoheshin, do të ishin një resurs turistik krejt i virgjër, i pashfrytëzuar, por për fat të keq i “ paftuar” në strategjitë e zhvillimit turistik të Malit të Zi. Me heshtjen e tyre kullat në Malësi presin rigjenerimin e tyre dhe vënien sa më parë në dispozicion të popullsisë së vet, në mënyrë që kjo trashëgimi e pallogaritshme kulturore të bëhet më e dukshme për sytë e Evropës, si dëshmi e njërit prej popujve më të vjetër të kontinentit tonë.
Është për të ardhur keq se qeveritë e deritashme të Malit të Zi dhe vetëqeverisjet vendore nuk e kanë preokupim ruajtjen e kësaj trashëgimie shumë të rëndësishme me vlera kulturore, historike, arkitekturore, ambientale, dhe arkeologjike të shqiptarëve.

Të fundit

më të lexuarat