Home KULTURË Poezi: Ali Gjeçbritaj

Poezi: Ali Gjeçbritaj

FLUTURIM ZOGU

Në dritaren time troket zogu grykakuq
Hape dritaren se diçka e mirë ju pret
Mos mbaj huq, tha, me sqep xhamin troket
Sot jemi më të vjetër seç ishim vjet.

Me krahët e lehtë fluturoi në kaltërsi
Në dritaren tjetër të bëjë porosi
Në mes të ditës fluturimin ndali
Në majë të një dege, aty veten fali.

Bëri pak pushim, cicëroi bukuri
Nesër tha në një dritare tjetër do vij
Do trokas ashtu si unë punën time di
Për të mos harruar këngën e vjetër për ty.

LIBRI I JETËS

Jam poet udhërrëfyes i vetes
Shkruaj të vërtetën për jetën
Ndodhitë e botës, nuk i trilloj
Asgjë që shkruaj, nuk e ngatërroj

E shkruaj jetën si duket ajo
S’jam poet i ëndrrave, nuk fantazoj
Zbardhi të vërtetën që nuk mohon
Sikur dritë e qiriut që na ndriçon

Edhe ti mund të jesh poet si unë
Mos u bën trillues, nuk të hyn në punë
Mos shkruaj histori, pa argumente
Bëje për të tjerët, siç bën për vete

DITË ME SHI

Sot është ditë me shi, gjethet lotojnë
sytë e mi me zogjtë ulur në hardhi
më ngjallin kujtime e nostalgji.

Shikoj nga dritarja larg përtej
mes pikave të shiut lundroj
veten diku në hapësirë dua ta gjej.

Si shiu dua të jem sot i përlotur
me rrjedhë pa u ndalë si lumi
të njomi tokën e përvëluar nga vapa

Sot kam vetëm një dëshirë
se nga buroi ajo, as vetë nuk e di
mbase nesër mund të bëhem stuhi

MALL

Ma vrave shpirtin ngadalë, si kanceri trupin
Të prita në parajsën time, më dhurove ferrin
Ëndërrova stinën e luleve, më dhurove dimër
Më mbyte në gjumë, pa lindur mirë shpresa
Malli nuk m’u shua, ai më frymëzoi më shumë.

KUR FLET PUNA

Në udhëkryqet e jetës udha nuk mbaron
Patjetër një ditë do e gjejmë fundin
Edhe pse mendojmë se nuk ekziston
Hidhërohemi kur fjala na lëndon.

Në heshtje e pranojmë, edhe pse lëndohemi
Kur flet puna, fjala nuk vret
Mençurinë e fjalës, puna e tregon vetë
Edhe pse duket se u shemb bota para syve.

Puna jote është volum buzëqeshjesh
Gjithmonë trishtimin e mbyt vullneti
Mund t’i humbësh të gjitha ëndrrat
E ardhmja u takon atyre që besojnë.

RETË

Vendlindja ime e shtrenjtë
retë e errëta ta kanë zënë diellin
prapë ti çdo ditë jeton me shpresë.

Jeton me shpresë dielli do të nxejë
ai duket në hapësirë shumë larg
një ditë do të shndrisë prapë.

Sigurisht që do të vijnë ditët
pranvera gjithmonë kthehet
pak vonon, koha do nxehet.

Do të çelin lulet, do lëshojnë aromë
do dalë bari që bryma e ka tharë
do çelin bulëzat në ditën e bardhë.

Do lëshojnë filizat shtat si dikur
qershia e re kokrrën do lidhi
kjo patjetër do të ndodhë një ditë.

Retë do të lëshojnë shi si dikur
Dielli nga qielli tokën do ngrohë
Vendlindja ime me dritë do jetë.

HARKU I DIELLIT

Shkëlqen, ndrin dielli mbi Cukal
dritë e agut gjithandej na vjen
ngjall shpresën e dergjur në vetmi
ka kohë që e pres të na ndrijë.

Kam numëruar gjatë, shumë gjatë
në qepallat e mbyllura të syve
të zhduket frika, të vdes errësira
fort të shkëlqejë në sytë e mi shkëndija.

Pasqyrë e yllit të mëngjesit
kërkesë e jona, e kohës në ikje
më pëshpëritë në vesh si dëshirë
fillimi i jetës është dritë e tij.

Dritës unë ia kuptoj gjuhën,
nuk zhduket dita pse dobësohet fuqia
ajo më flet, nuk më lë të kotem
mëngjesi më mbështjell me gëzof të ri.

Nuk jam i vetmuar, të kam ty
heshtjen e shkelmova me fuqi
dritë e diellit në harkun e rrugëtimit
më shoqëron në perëndim deri në Rumi.

Nuk u treta në ëndrra pa shpresë
njerëzia fle qetë, shohin ardhmërinë
ylli i dritës, ku shkoi sot vallë
fle në shtratin tim, aty shkëlqen.

DO FIRMOS PAQE

Me vrull adoleshenti shpërthej
në marrëzinë e moshës jam
po pse duhet ta ndërroj folenë?

Shtatë ngjyra të harkut në qiell
do i zbërthej në yje fluturimthi
të ndrijë bota gjithandej ylber.

Në thellësinë e truallit të vrarë
do firmos paqe me dorën time
i lirë në përjetësi do jetë jeta ime.

DETI

Nëpër valë deti lundrojmë e nuk ndalemi
anija lundron, çan, dallgët i rrahin brinjtë
peshkaqeni nga thellësia e ujit del mbi valë
errësira ka mbuluar gjithësinë, deti gjëmon
me anijen shtegtojmë, furtuna nuk na luhat
ky det sikur s’ka mbarim sonte askund
mbi shpinën e tij buka me nëntë kore gatuhet
të lashtë sa vetë jeta, të fortë sa malet
detin e trazuar e shoqërojnë vetëm dallgët

MELODI

Errësira ka mbuluar hapësirën
nata ka hapur krahët deri në qiell
dhomën e kapi heshtja për gushe
nga dritarja e hapur dëgjohen gjurmë
me shushuritje gjethesh të rënë
e unë zhytem thellë në botën e natës
me sy të përgjumur thuri vargje
heshtja e natës përshkon trupin tim
ashtu e qetë më shoqëron në rrugëtim
me shushurimat e gjetheve thuri poezi
në pentagram tingujt e violinës kanë zënë vend
melodinë e këngës do ta dëgjoni nesër në agim.

Exit mobile version