Home KULTURË Libër homazh për ulqinakët në Shkodër

Libër homazh për ulqinakët në Shkodër

“Unë në libër nuk kam pasur në mend me dëftuar as historinë e Ulqinit, as historinë e Shkodrës, por nëpërmjet historisë së Ulqinit dhe Shkodrës me treguar lidhjet dhe bashkëpunimin që kanë pasur ndër shekuj, deri në ditët e sotme, ulqinakët dhe shkodranët”, është shprehur autorja Dibra

Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, të shtunën mbrëma (15 tetor 2022) është bërë përurimi i librit “Lidhjet historike mes Shkodrës dhe Ulqinit (Vlera dhe kontribute të ndërsjella)” të Dr. Zenepe Dibrës.
Vetë autorja ka treguar se si i ka lindur ideja për të shkruar këtë libër. Pas botimit të librit “Dibranët e Shkodrës” tre vite më parë, ajo ka thënë se në lagjen Zdrale të Shkodrës e kishte ndaluar një grua, e cila i kishte thënë: “Po si moj burrneshë ti nuk po shkruan për Ulqinin? Po ne jemi komunitet shumë më i madh. Bile aty erdhi një djalë i ri e më tha: A din ti shoqe se në Shkodër ka më shumë ulqinakë se shkodranë?”
Dibra ka thënë se në libër nuk ka pasur në mend “me dëftuar as historinë e Ulqinit, as historinë e Shkodrës, por nëpërmjet historisë së Ulqinit dhe Shkodrës me treguar lidhjet dhe bashkëpunimin që kanë pasur ndër shekuj, deri në ditët e sotme, ulqinakët dhe shkodranët”.
Ajo ka thënë se i pëlqejnë temat historike, sepse “evokojnë jo vetëm të kaluarën, por i risjellin ndër mend edhe brezit të ri se si ne duhet të jemi të lidhur me njëri-tjetrin, si duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”.
Autorja ka treguar edhe për motivet që e kanë shtyrë për të shkruar këtë libër, duke thënë se “lidhja e parë është lufta e përbashkët që kanë bërë shkodranët dhe ulqinakët për mbrojtjen e tokave shqiptare”.
Dibra ka thënë se pas ndërprerjes së lidhjeve në vitin 1948, ulqinakët e vendosur në Shkodër, përpos vuajtjeve të kohës së diktaturës e të komunizmit, kanë pasur një vuajtje plus në krahasim me shkodranët, sepse e kanë pasur mendjen tek Ulqini.
Ajo ka thënë se ulqinakët që kanë ardhur në Shkodër “kanë qenë njerëz të butë, të mirë, shumë besimtarë dhe kanë ecur së bashku me ne”.
Autorja Dibra ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar qoftë në aspektin financiar apo me literaturë për botimin e librit.
Redaktori i librit, Dr. Nail Draga, e ka cilësuar librin si një botim të veçantë për ulqinakët e Shkodrës.
“Kemi të bëjmë, pra, me një botim të veçantë, që dallohet nga përmbajtja, sepse ka të bëjë me popullsinë shqiptare me origjinë nga qyteti i Ulqinit, e cila këtu është vendosur nga viti 1880 e më pas”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky libër është njëkohësisht edhe një homazh për të gjithë ata të cilët kanë lënë emër me kontributin e tyre në lidhjet shoqërore e kombëtare në mes Shkodrës e Ulqinit. “Kujtojmë me këtë rast kontributin e shkodranëve në hapjen e shkollës shqipe në Ulqin, në vitin 1941-1944, me emrin ‘Skenderbeg’, me drejtor shkodranin Jahja Domnori. Po ashtu nderim edhe për ulqinakët të cilët kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme shoqërore në qytetin e Shkodrës, por në veçanti në veprimtarinë e detarisë në nivel kombëtar”, ka theksuar Draga.
Ai ka thënë se ky libër përbën një leksikon të veçantë me vlera njohëse dhe profesionale.
“Në saje të temës së trajtuar dhe përmbajtjes së prezantuar, këtë botim e vlerësojmë si kontribut me vlerë në hulumtimin e raporteve shoqërore, sociale e kulturore në hapësirën shkodrane në veriun shqiptar, ku bën pjesë edhe Ulqini dhe rrethina e tij”, është shprehur Draga.
Ahmet Shurdha nga Shkodra, njëri prej pasardhësve të fisit Shurdha nga Ulqini, ka folur për gjenealogjinë dhe historinë e këtij fisi, të njohur si detarë të zotë.
“Unë nëpërmjet kësaj që jam tuj diftu tregoi ecurinë e një familjes, një prej familjeve ulqinake në Shkodër. Sepse kur shkuan atje nuk kishin kapital. Kapitali u bë me zotësinë e ulqinakëve. Shumë ulqinakë në Shkodër kanë arritur maksimumin nëpërmjet asaj që kanë pasur eksperiencë gjatë jetës së tyre”, ka thënë ai, duke shtuar se për çdo gjë që flet bazohet në dokumentet origjinale, që i ruan në shtëpinë e tij.
Ai ka treguar edhe disa kuriozitete që lidhen me familjen e tij. Gjyshi i tij ishte i pari që në Pazarin e Vjetër në Shkodër qiti gramafonin dhe kur vinin njerëzit habiteshin se çfarë është kjo “arkë që bërtet e këndon”. Shurdha po ashtu ka rrëfyer se në shtëpi kanë mbajtur një çifute për t’i shpëtuar jetën.
Duke folur për nostalgjinë e madhe të gjyshit të tij për Ulqinin, ai ka thënë se duke vdekur i kishte thënë “Mas ma harra Ulqinin”.
Shurdha ka përfunduar duke thënë se “e falënderoj Zotin që kam le ulqinak”.
Për lidhjet e Ulqinit dhe Shkodrës kanë folur edhe Gazmend Çitaku, Sami Flamuri, Engjëll Çeka dhe Dr. Astrit Beci, ndërsa udhëheqësja e përurimit Luljeta Avdiu – Cura ka lexuar disa fragmente nga libri.
Libri “Lidhjet historike mes Shkodrës dhe Ulqinit (Vlera dhe kontribute të ndërsjella)” është botuar nga Shtëpia Botuese “Shkodra” në vitin 2022.
Përurimi i librit në Ulqin u organizua nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Qendra e Kulturës – Ulqin. Ky është përurimi i dytë i këtij libri pas përurimit në Shkodër në muajin maj të këtij viti.

i. k.

Exit mobile version